Oligarku i “preferuar” i rrugëve / Ram Geci ‘gllabëroi’ 90 mln euro tendera nga shteti: SPAK zbardh skemën në ARRSH

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.12.2025, 01:15

Oligarku i kullës në qendër të Tiranës, Ram Geci, i përfshirë në dosjen e SPAK-ut për tenderat e rrugëve në Shqipëri, rezulton një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve dhe pasurive publike ndër vite.

Përfitimet dhe favorizimet korruptive, sipas dosjes, Geci i ka realizuar përmes kompanisë së ndërtimit “Geci shpk”, shoqëri e themeluar prej tij në vitin 1994.

Në vitet e fundit, Ram Geci, përmes kësaj kompanie, ka përfituar rreth 90 milionë euro fonde publike, si i vetëm ashtu edhe në bashkëpunim, përmes tenderave të dyshimtë, të karakterizuar nga pazare në tavolinë dhe oferta fituese thuajse sa fondi limit. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, përfitimet nga buxheti i shtetit kapin shifrën mbi 72 milionë euro.

Fondet publike, sipas dokumenteve, janë siguruar përmes kontratave dhe tenderave klienteliste nga institucione si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia e Tiranës, si dhe institucione të tjera.

Si i fiton tenderat Ram Geci

Sipas dosjes së SPAK-ut për aferat me tenderat e rrugëve, më 24 gusht 2021, zv/kryeministrja Belinda Balluku i shkruan kreut të ARRSH-së se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar të takonte oligarkun Ram Geci, i cili ishte i interesuar për një tender me vlerë 12 milionë euro, me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano–Durrës, loti 3”.

Kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, i përgjigjet se Ram Geci kishte takuar po atë ditë vetë kryeministrin Rama. Ky informacion, sipas Berberit, i ishte komunikuar nga vetë Geci, pasi të dy kishin zhvilluar edhe një vizitë në kantierin e Unazës së Madhe.

Ç'ndodhi më pas?

Vetëm tre javë pas këtyre bisedave dhe takimeve, më 16 shtator 2021, ARRSH-ja, me në krye Evis Berberin, shpall procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.

Më 16 nëntor 2021, ARRSH-ja shpall fituese kompaninë “Geci shpk”, në pronësi të Ram Gecit. Oferta fituese rezulton pothuajse e barabartë me fondin limit të tenderit, ndërsa ofertat e tjera, më të ulëta në vlerë, skualifikohen, raporton Prapaskena. Sipas dosjes, kjo përbën një tjetër shembull se si fondet e buxhetit të shtetit shpërndahen për klientë të caktuar oligarkë, përmes procedurave të parapërcaktuara.

Skema, sipas dokumentimit, është e qartë: Ram Geci i drejtohet kryeministrit për tenderin e radhës; kryeministri vë në lëvizje zv/kryeministren Balluku; kjo e fundit aktivizon drejtuesin e ARRSH-së; ndërsa Berberi zbaton porosinë, përgatit procedurën dhe i akordon tenderin Ram Gecit.

Në këtë mënyrë, Ram Geci ka përfituar rreth 90 milionë euro nga tenderat publikë, si i vetëm ashtu edhe në bashkëpunim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit