Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore në ambientet e një institucioni shëndetësor. Sipas tij, në makinetat e ushqimeve dhe pijeve që ndodhen brenda Spitalit të Shijakut po shiten produkte të skaduara.
Qytetari ka dërguar edhe një video, ku shihet qartë se dy produkte të blera prej tij rezultojnë me afat skadence të kaluar. Konkretisht, bëhet fjalë për një pako “Kubeti”, me datë skadence 23 dhjetor 2025, si dhe për një pije freskuese “Bravo” me shije luleshtrydhe, data e skadencës së së cilës është 1 korrik 2025.
“Përshëndetje JOQ! Këtu në Spitalin e Shijakut janë gjëra të skaduara, ja siç e shihni dhe vetë. Mund ta postoni këtë video ju lutem, sepse helmohen njerëzit dhe në spital. Nuk është normale për një spital. Produkti i parë është një Kubeti dhe e dyta një Bravo luleshtrydheje.”
Ky rast ngre shqetësime serioze për kontrollin dhe monitorimin e produkteve ushqimore që shiten në ambientet spitalore, të cilat frekuentohen nga persona të sëmurë dhe familjarë e të afërm të tyre.
JOQ Albania u bën thirrje autoriteteve përkatëse të verifikojnë këtë denoncim dhe të marrin masa të menjëhershme, ndërsa qytetarët ftohen të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë raste të ngjashme.