Dyshohet se financonin Hamasin përmes organizatave bamirëse, 9 persona të arrestuar në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.12.2025, 20:27

Autoritetet italiane kanë arrestuar nëntë persona, të dyshuar për financimin e Hamasit përmes organizatave bamirëse të bazuara në Itali.

Lajmi është bërë i ditur nga prokurorët italianë, të cilët sqarojnë se operacioni është zhvilluar nga njësitë anti-mafia dhe anti-terrorizëm.

Sipas hetimeve, të arrestuarit dyshohet se kanë mbledhur rreth 7 milionë euro gjatë dy viteve të fundit, fonde që zyrtarisht ishin destinuar për qëllime humanitare, por që sipas prokurorisë janë devijuar drejt strukturave të lidhura me Hamasin, organizatë e cilësuar si terroriste nga Bashkimi Evropian. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe pasuri me vlerë mbi 8 milionë euro.

Hetimi ka nisur pas identifikimit të transaksioneve financiare të dyshimta dhe është zgjeruar përmes bashkëpunimit me autoritetet holandeze dhe vende të tjera të BE-së, nën koordinimin e agjencisë evropiane Eurojust.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka falënderuar autoritetet për, siç e quajti ajo, një “operacion kompleks dhe të rëndësishëm”, që sipas saj ka zbuluar financime të Hamasit përmes organizatave të ashtuquajtura bamirëse.

Kujtojmë që mbështetja e qeverisë italiane për Izraelin gjatë luftës në Gaza ka shkaktuar protesta të shumta në Itali. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 71 mijë viktima, ndërsa sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor la rreth 1200 të vrarë, sipas të dhënave zyrtare izraelite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit