Një zjarr ka përfshirë një pallat në zonën e Shallvareve në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët e zonës. Ngjarja është raportuar nga një qytetar, i cili ka dërguar pamje video në redaksinë e JOQ Albania.
Sipas tij, në video dëgjohen kercitje të forta dhe dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë ose masë elektrike e ndodhur te kabujt ajrorë që ndodhen pranë pallatit. Qytetari shprehet se situata është e rrezikshme dhe se banorët nuk po arrijnë të futen në banesat e tyre.
“Nuk po hyjmë dot në shtëpi. Po rrezikohen banorët. Ato kabujt janë ajrorë, kjo punë është aty. Sidomos kur fillojnë pjekin për Vitin e Ri ose kur bën 40 gradë, marrin flakë. Duhen bërë investime tokësore, ai është rrjet ajror i viteve ’50. Filloi një kabull, pastaj një tjetër, nga ngarkesa. Aty po u këput kabulli, kur kalon të merr jetën. Janë tela pa fund mbi ne, elektrikë, interneti, telefonie, të gjitha në ajër lemsh”, shprehet qytetari.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar për shkakun e zjarrit apo për dëme të mundshme. JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të sqarojnë situatën dhe të marrin masa për sigurinë e banorëve, ndërsa qytetarët ftohen të tregojnë kujdes maksimal.