Një tërmet i fortë ka goditur brigjet verilindore të Tajvanit mbrëmjen e sotme. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti kishte magnitudë 6.6, ndërsa autoritetet tajvaneze e kanë vlerësuar atë në 7.0 ballë.
Lëkundja u regjistrua rreth orës 23:05 (ora lokale), në një thellësi prej 73 kilometrash, në det, pranë qarkut Yilan, në jugperëndim të kryeqytetit Taipei. Mediat lokale raportojnë se ndërtesat në Taipei janë lëkundur dhe tërmeti është ndjerë pothuajse në të gjithë ishullin.
Autoritetet e emergjencave në Yilan kanë bërë me dije se deri më tani nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale. Ky është tërmeti i dytë i fortë që godet Tajvanin brenda pak ditësh. Një lëkundje me magnitudë 6.0 goditi juglindjen e ishullit këtë të mërkurë.
Tajvani goditet shpesh nga tërmetet për shkak të pozicionit të tij gjeografik, në kufirin mes dy pllakave tektonike pranë "Unazës së Zjarrtë" të Paqësorit. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), kjo zonë njihet si rajoni me aktivitetin më të lartë sizmik në botë.
Kjo ngjarje pason tërmetin shkatërrues të prillit të vitit 2024, ku një goditje me magnitudë 7.4 la të vdekur 17 persona. Ky tërmet shkaktoi rrëshqitje masive dhe dëme të rënda në ndërtesa, veçanërisht rreth qytetit Hualien.
Në atë kohë, zyrtarët deklaruan se ai ishte tërmeti më i fuqishëm që kishte goditur Tajvanin në 25 vitet e fundit. Kjo ishte goditja më serioze që prej vitit 1999, kur një tërmet me magnitudë 7.6 shkaktoi tragjedinë më të madhe natyrore në historinë e ishullit.