Pasi e shkriu kulturën, turizmin dhe sportin shqiptar për vitin 2025, ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zgjedhur ta festojë fundvitin me një atmosferë me balerina seksi. Në fotografitë e publikuara në Facebook-un e tij, shfaqet Gonxhja dhe stafi i rreshtuar mes ndriçimit skenik, muzikës dhe balerinave që vallëzojnë në mes të sallës, duke i dhënë aktivitetit më shumë pamjen e një shfaqjeje artistike sesa të një feste pune.
Ironia qëndron te fakti se kjo skenë festive shfaqet në një moment kur realiteti jashtë mureve të institucioneve është dukshëm më pak ritmik. Qeveria përballet me presione serioze politike dhe ligjore, shërbimet digjitale janë jashtë funksioni për mijëra qytetarë, ndërsa opozita proteston në rrugë. Në këtë sfond, harmonia koreografike e ministrisë duket sikur vjen nga një tjetër akt i shfaqjes, paralel me krizën.
Pyetjet që lindin:
Si justifikohet një festë me elementë spektakli në një kohë kur qeveria është e rrethuar nga skandale, hetime dhe krizë funksionale?
Si ja bën zemra Gonxhes të festojë, ndërkohë që shoqja Bela dhe shoku Edi janë më pranë drejtësisë?
A ishte ky mesazhi që duhej dhënë publikut, ndërsa qeveria është përfshirë në skandale dhe besimi qytetar bie?
Dhe mbi të gjitha, nga cili zë buxhetor u financua kjo shfaqje festive, në një moment kur kultura, turizmi dhe sporti shqiptar janë në mëshirë të fatit?

