Gjendja e rrugës “Albavia – Çerkezë – Morinë”, e njohur nga banorët si “Argjinatura”, është kthyer në një sfidë të përditshme për qytetarët.
Çdo ditë, redaksia e JOQ ALBANIA merr dhjetëra denoncime nga banorët e Kamzës dhe zonave përreth për gjendjen e mjerueshme të rrugëve dhe mungesën totale të ndërhyrjeve nga Bashkia Kamëz.
Sipas qytetarëve, rruga është pothuajse e pakalueshme, jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët. Balta, pluhuri dhe gropat e shumta e kanë kthyer këtë segment në një terren të rrezikshëm që dëmton çdo ditë automjetet dhe pengon lëvizjen e qytetarëve.
Banorët akuzojnë gjithashtu ndotjen e vazhdueshme që shkaktohet nga ndërtimet e shumta në zonë. Mjetet e rënda dhe trajlerët që transportojnë materiale ndërtimi hedhin baltë dhe pluhur, pa marrë asnjë masë për pastrimin e rrugës dhe mjedisit përreth.
Sipas tyre, kjo situatë nuk vetëm që dëmton pronat dhe automjetet, por përbën rrezik për shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve. Pavarësisht denoncimeve të shumta, autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të përmirësuar gjendjen.
Banorët e Kamzës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke apeluar për përgjegjësinë e Bashkisë për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.