Prej dy ditësh, qytetarë të shumtë të Vlorës po përballen me mungesë të theksuar të ujit të pijshëm. Denoncime të ndryshme kanë mbërritur në redaksinë tonë, ku banorë nga lagje të ndryshme të qytetit shprehen se furnizimi me ujë është ndërprerë pothuajse totalisht.
Sipas tyre, shkak i kësaj situate është çarja e një tubi kryesor, ndërkohë që Bashkia Vlorë dhe Ujësjellësi ende nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për riparimin e defektit. Qytetarët theksojnë se prej vitesh përballen me të njëjtin problem, ku institucionet përgjegjëse justifikohen vazhdimisht me defekte teknike, por pa dhënë zgjidhje afatgjata.
Kjo gjë ka bërë që vlonjatët të cilët i përkasin 'Shqipërisë drejt BE' ti drejtohen burimeve të ujit të pijshëm të qytetit.
Denoncimi 1:
Përshëndetje! Kemi dy ditë pa ujë në lagjen “10 Korriku” në Vlorë. Është çarë një tub; u bë sikur u rregullua, por pas 30 minutash u çarë përsëri. UKT Vlorë nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj situate. Në këto kushte jemi të detyruar të përballemi me mungesë totale uji, ndërkohë që kemi edhe fëmijë të vegjël. Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme. Faleminderit!
Denoncimi 2:
Përshëndetje! Ju lutem, publikojeni këtë situatë në Vlorë. Kemi dy ditë pa ujë dhe na thuhet se ka ndodhur një defekt. Vetëm në Vlorë duket se ndodhin gjithmonë këto “defekte”.Edhe pse për një vit rresht duruam çarjet e rrugëve dhe instalimet e tubacioneve, me premtimin për furnizim me ujë 24 orë, ky projekt nuk u vu kurrë në funksion dhe as nuk po punohet më për të. Për më tepër, tani nuk po merren masa as për problemet ekzistuese. Sipas informacioneve, riparimi mund të zgjasë deri në një javë. Ju lutem, publikojeni denoncimin në mënyrë anonime, pasi dihen mirë problemet në Shqipëri sot.