Ernest Muçi po kalon një periudhë mjaft pozitive në karrierën e tij. Futbollisti i Kombëtares shqiptare po shkëlqen me fanellën e Trabzonsporit, duke gjetur vazhdimisht rrugën e rrjetës. Në vetëm 5 ndeshje, Muçi ka realizuar 7 gola, statistikë që e ka kthyer atë në një nga liderët e skuadrës turke.
Këto paraqitje të shkëlqyera kanë shtyrë Trabzonsporin të mendojë seriozisht për blerjen e kartonit të tij nga Beşiktaşi. Blerja përfundimtare e tij pritet t’u kushtojë rreth 8.5 milionë euro, një shifër e konsiderueshme që e bën marrëveshjen jo të lehtë për t’u finalizuar. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit po përgatisin edhe alternativa, në rast se “pista Muçi” nuk konkretizohet.
Një nga emrat që ka hyrë në radar është ai i futbollistit polak Kacper Kozłowski. 22-vjeçari aktivizohet aktualisht te Gaziantep dhe fakti që luan në kampionatin turk e bën një opsion të favorshëm për Trabzonsporin. Kozłowski numëron 3 gola dhe 1 asist në 18 ndeshje këtë sezon.