Aldo Iamandi, i njohur edhe si Aldo Gjini, u bë figurë e njohur për autoritetet europiane pas të shtënave me armë zjarri më 24 nëntor 2020 në qytetin Remich të Luksemburgut. Ngjarja ndodhi pas një konflikti në një lokal, ku Gjini, pas një përplasjeje të dhunshme, mori armën nga makina dhe qëlloi katër herë një person, duke e plagosur rëndë. Pas incidentit ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u fut në listën e personave më të kërkuar në Europë, ndërsa më vonë u arrestua në Bruksel. Në fund të vitit 2023, ai u dënua me 30 muaj burg për posedim të paligjshëm armësh dhe plagosje, vendim që tashmë është i formës së prerë.
Sipas gazetës së huaj Luxemburger Wort, ky rast nxori në pah një prapaskenë shumë më të gjerë kriminale, pasi hetimet treguan se Aldo Gjini dyshohet si figurë kyçe e krimit të organizuar shqiptar. Autoritetet zbuluan se incidenti në Remich lidhej indirekt me tensione të brendshme brenda një grupi kriminal, i cili dyshohet se kishte humbur një sasi të madhe kokaine në portin e Vlissingenit në Holandë. Gjurmët e plumbave në Remich janë ende të dukshme, ndërsa hetimet e mëvonshme nxorën në dritë lidhje me trafik ndërkombëtar droge, dhunë të armatosur dhe konflikte mes grupeve kriminale në disa shtete europiane.
Në Shqipëri, Gjini ndodhet aktualisht në paraburgim dhe përballet me akuza më të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai është një nga emrat e përfshirë në operacionin e fundit të SPAK kundër një rrjeti të fuqishëm trafiku droge, ku u arrestuan dhjetëra persona, u sekuestruan shuma të mëdha parash, automjete luksoze dhe armë. Hetimet e bazuara edhe në komunikimet e deshifruara të rrjetit SkyECC pritet të çojnë në procese të tjera penale, ndërsa autoritetet shqiptare flasin për prova të forta që lidhin Aldo Gjinin me trafikimin e tonave drogë drejt vendeve të Bashkimit Europian.