Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë shtetas për shkelje të rënda ligjore të konstatuara në zonën e Kanalit të Vivarit në Ksamil. Sipas hetimeve, në këtë zonë të mbrojtur, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe me status Monument Natyre, janë kryer ndërtime pa leje dhe pa miratimet përkatëse nga institucionet shtetërore.
Në qendër të procedimit penal është shtetasi Resul Piro, si dhe personi juridik “Laguna Invest”, të akuzuar për ndërtim të paligjshëm, pushtim toke, shpërdorim toke dhe dëmtim të habitateve në zonë të mbrojtur mjedisore. Prokuroria konstaton se ndërtimet janë realizuar në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar pasoja serioze në territorin natyror të mbrojtur.
Gjithashtu, në gjyq janë dërguar edhe shtetasit Vangjel Xhavara, Erton Zekaj dhe Besian Koci, me detyrë inspektorë të IVMT Bashkia Sarandë, si dhe Artur Musa., kryeinspektor i IVMT, të akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas akuzës, këta zyrtarë nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për evidentimin e plotë të shkeljeve dhe nuk kanë marrë masat administrative të parashikuara, duke favorizuar vijimin e ndërtimit të paligjshëm në zonë të mbrojtur.