Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar projektligjin “Ligji për Demokracinë dhe Mirëqenien në Ballkanin Perëndimor”, që synon të rrisë tregtinë, investimet dhe mbështetjen politike amerikane për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë.
Projektligji vë theksin mbi luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë, duke përfshirë mbështetje për gjyqësorin, prokurimet publike dhe mediat e pavarura. Shqipëria përmendet si një nga vendet që përballet me sfida në nivelet e larta politike, ku korrupsioni mbetet pengesa kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik.
Ligji parashikon gjithashtu rritjen e tregtisë dhe investimeve amerikane në sektorë si energji e pastër, infrastrukturë, teknologji dhe bujqësi, nxitjen e diversifikimit energjetik, sanksione ndaj individëve që kërcënojnë stabilitetin në rajon, si dhe mbështetje për sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën digjitale.
Një fokus i veçantë i ligjit është krijimi i iniciativave për zhvillimin e liderëve të rinj, përfshirë programin “Young Balkan Leaders Initiative”, dhe mbështetja e integrimit euroatlantik, duke riafirmuar përkrahjen për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE dhe NATO.
Analistët vënë në dukje se projektligji është një sinjal i qartë i SHBA për Shqipërinë dhe rajonin: lufta kundër korrupsionit dhe përforcimi i institucioneve mbeten prioritet kryesor për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.