I dënuar për kultivim kanabisi, shqiptari shmang dëbimin nga Britania falë partneres së tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.12.2025, 21:07

Një shtetas shqiptar, i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për kultivim të kanabisit, ka shmangur dëbimin nga vendi pasi një gjykatë imigracioni vendosi se largimi i tij do të kishte pasoja “të pajustifikueshme dhe tepër të rënda” për partneren e tij.

Bëhet fjalë për Armando Iberhasajn, i cili u dënua me katër muaj burg pasi u zbulua duke kultivuar mbi 200 bimë kanabisi në një banesë në Springfield Crescent, në Bolsover, më 15 tetor 2019. Gjatë kontrollit në pronë, ai u gjet së bashku me një tjetër person, të cilët pretenduan se kishin qenë aty vetëm prej pak ditësh dhe se paguheshin për ujitjen dhe ushqimin e bimëve, që ndodheshin në faza të ndryshme rritjeje.

Sipas prokurorisë, fillimisht Iberhasaj refuzoi të përgjigjej ndaj pyetjeve të policisë, por më pas pranoi fajësinë për veprën penale.

Autoritetet britanike kërkuan dëbimin e tij, por Iberhasaj e kundërshtoi vendimin duke argumentuar se largimi do të shkelte të drejtën e tij për jetë familjare, të garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Ai theksoi se dënimi i tij ishte më i ulët se pragu njëvjeçar, mbi të cilin aplikohet automatikisht dëbimi për shtetasit e huaj.

Gjykatësja e Tribunalit të Lartë të Imigracionit, Sarah Pinder, pranoi se kultivimi i kanabisit mund të shkaktojë “dëm serioz shoqëror”, por vuri në dukje se dënimi me katër muaj burg tregon se, në rrethanat konkrete, vepra nuk është konsideruar si shkaktare e “dëmit serioz” që do të justifikonte dëbimin, raportojnë mediat britanike.

Ajo theksoi gjithashtu se zhvendosja e partneres së Iberhasajt në Shqipëri do të kishte pasoja të rënda për të, pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me vendin, nuk e ka vizituar kurrë dhe nuk flet gjuhën shqipe. Sipas gjykatës, partnerja e tij është e angazhuar në karrierën e saj profesionale, është ekonomikisht e pavarur dhe aktualisht ofron mbështetje të përditshme për nënën dhe motrën e saj, kjo e fundit nën hetime mjekësore për një diagnozë të mundshme kanceri.

Në këto rrethana, gjykata vendosi se dëbimi i Armando Iberhasajt do të ishte një masë joproporcionale dhe me pasoja të pajustifikueshme për jetën familjare të partneres së tij, duke i hapur rrugë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Shënim: Lidhur me lajmin e publikuar mbi shtetasin shqiptar që fitoi të drejtën e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, JOQ Albania bën me dije se pas verifikimeve të hollësishme të kryera nga redaksia jonë, personi në foton e lajmit është në të vërtetë Armando Iberhasaj.

Sqarojmë se media britanike, e cila ka shërbyer si burim fillestar i këtij informacioni, ka vendosur gabimisht foton e një personi tjetër. JOQ Albania, duke vlerësuar vërtetësinë e informacionit dhe integritetin e personave të përfshirë, ka korrigjuar këtë pasaktësi duke vendosur foton e saktë që i korrespondon personit për të cilin flet lajmi dhe vendimi i gjykatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit