Al Ittihad ka vendosur ta nxjerrë në shitje Mario Mitajn gjatë merkatos së dimrit. Lajmi është raportuar nga një gazetar në Arabinë Saudite, i cili ka cituar burime ekskluzive përmes rrjetit social “X”.
Sipas këtyre burimeve, klubi saudit ka marrë vendimin për t’u ndarë me mbrojtësin e majtë 22-vjeçar, pavarësisht faktit se kontrata e tij është e vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Gjatë sezonit aktual, Mitaj ka regjistruar 16 paraqitje zyrtare në të gjitha kompeticionet me fanellën e Al Ittihad, duke kontribuar me një gol dhe dy asistime. Në total, ai ka qenë aktiv në fushë për më shumë se 1.300 minuta.
Mario Mitaj iu bashkua Al Ittihad në shtator të vitit 2024, fillimisht në formë huazimi nga Lokomotiv Moska. Më pas, klubi saudit aktivizoi opsionin e blerjes për një shifër që kapte rreth 4 milionë euro.
Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i futbollistit shqiptar, nëse largimi i tij do të zyrtarizohet gjatë kësaj merkatoje dimërore.