SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë. Paralelisht, ajo po hetohet edhe për 7 lote të projektit të Unazës së Madhe, si dhe dyshohet për përfshirje në 3 tenderë të tjerë.
Me kërkesë të prokurorëve të posaçëm dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), gjatë së premtes janë kryer rreth 35 kontrolle në ambiente të ndryshme, përfshirë subjekte private dhe banesa. Objekt i kontrolleve kanë qenë edhe kompani të biznesmenëve që kanë përfituar tenderë me vlerë miliona euro, të cilët aktualisht janë nën hetim nga SPAK.
Ende nuk janë bërë publikë të gjithë emrat e personave zyrtarë apo të biznesmenëve ndaj të cilëve janë ushtruar kontrolle. Megjithatë, sipas raportimeve mediatike, kontrollet janë shtrirë edhe në kompaninë “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj, fitues i tenderit për ndërtimin e rrugës Thumanë–Kashar.
Po ashtu, kontrolle janë kryer edhe ndaj biznesmenit Ilir Shtufi, pronar i kompanisë “Nova Construction – 2012” shpk, një nga tre operatorët që fituan tenderin për Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, procedurë e cila gjithashtu ndodhet nën hetim nga SPAK.
Mes personave të kontrolluar janë edhe dy ish-vartës të Belinda Ballukut, të cilët ndodhen aktualisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”: ish-kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe ish-drejtori i KESH-it Erald Elezi. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë sekuestruar telefona celularë dhe dokumentacion, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës nga organet e drejtësisë.
Kontrollet janë autorizuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake Erion Çela, i njëjti gjyqtar që më herët vendosi masën e pezullimit nga detyra ndaj ministres Belinda Balluku. Aksioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga agjentët e BKH-së, me mbështetjen e forcave të Policisë së Shtetit.