Ujërat e zeza pushtojnë plazhin e Golemit, tubi derdhet direkt e në det

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.12.2025, 15:13

Prej disa vitesh tanimë, zona e Golemit përballet me një situatë shqetësuese ujërat e zeza të hoteleve derdhen drejtpërdrejt në det, pa asnjë filtër apo masë mbrojtëse.

Pamjet e siguruara tregojnë qartë se pushuesit janë të detyruar të shëtisin mes ujërave të ndotura, duke u përballur me kushte aspak të denja për një zonë turistike.

Në rërën pranë vijës bregdetare dallohet një tub që shkarkon ujëra të zeza direkt në det. Videoja është realizuar ditën e djeshme, në një kohë kur shumë turistë vendas dhe të huaj i janë drejtuar bregdetit të Adriatikut për të shfrytëzuar ditët e nxehta të kësaj periudhe.

Zona e Golemit dhe ajo e Durrësit janë përfolur edhe më herët për problematikën e ndotjes së ujit të detit, duke ngritur shqetësime të vazhdueshme për shëndetin publik dhe imazhin e turizmit shqiptar.

Sipas ligjit, derdhja e ujërave të zeza në det është e ndaluar rreptësisht. Subjektet që shkelin këtë rregull përballen me gjoba, ndërsa në rast përsëritjeje, ndëshkimi parashikon deri edhe mbylljen e aktivitetit. Aktualisht, pika e shkarkimit të ujërave të zeza ndodhet vetëm pak metra larg një hoteli, duke shtuar dyshimet për shkelje të rënda mjedisore dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit