Sylvinho mund të hyjë në histori si i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës 2026, në një kohë kur vetë Brazili, Seleção, drejtohet nga italiani Carlo Ancelotti. Një paradoks futbollistik që ka tërhequr vëmendje të madhe në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Brazil, ku futbolli konsiderohet oksigjen për jetën e përditshme.
Në një intervistë për ESPN Brasil, trajneri i Kombëtares shqiptare foli gjerësisht për rrugëtimin e kuqezinjve dhe për mundësinë reale që Shqipëria të jetë pjesë e Botërorit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Kjo është një mundësi shumë e madhe për ekipin, për Federatën dhe për të gjithë vendin. Shortet kanë qenë të vështira që prej Europianit, por duhet t’i përballojmë këto sfida. Që nga janari do të nisim të ndjekim nga afër futbollistët tanë dhe të zhvillojmë takime të drejtpërdrejta”, u shpreh Sylvinho.
Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e playoff-it më 26 mars në Varshavë, në një sfidë ku objektivi i vetëm është fitorja. Në rast suksesi, kuqezinjtë do të luajnë më 31 mars kundër fituesit të përballjes Ukrainë – Suedi, për një biletë historike drejt Botërorit.
Sipas Sylvinhos, ndeshje të tilla vendosen shpesh nga detaje dhe momente kyçe.
“Ne e njohim mirë Poloninë, sepse kemi luajtur kundër tyre kohët e fundit. Ata kanë ndërruar trajner, por lojtarët janë të njëjtë dhe janë të një niveli shumë të lartë. Polonia është në një fazë rindërtimi, ndërsa ne jemi në një proces përmirësimi të vazhdueshëm. Avantazh apo disavantazh? Është e vështirë të thuhet. Janë vetëm 90 minuta, por gjithçka mund të vendoset në pak sekonda”, theksoi trajneri brazilian.
Sylvinho nënvizoi edhe faktin se futbollistët shqiptarë tashmë janë mësuar me presionin dhe ndeshjet e mëdha.
“Lojtarët tanë janë rritur shumë dhe janë mësuar me sfida të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë që kemi dhe te karakteri i skuadrës.”
Muaji mars pritet të jetë vendimtar për fatin e Kombëtares, ndërsa ëndrra për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026 është më e gjallë se kurrë. Me një trajner brazilian në stol dhe një grup lojtarësh ambiciozë në fushë, Shqipëria synon të shkruajë faqen më të artë të historisë së saj futbollistike.