Në një shtet që pretendon se respekton të drejtat e njeriut, është e papranueshme që vetë njerëzit që zbatojnë ligjin të ndihen të shtypur, të kërcënuar dhe të pafuqishëm.
Sipas denoncimit, punonjësit e Policisë së Burgjeve trajtohen si skllevër modernë nga eprorët e tyre. Presione, kërcënime, komunikim me harbutëri dhe frikë konstante nga ndëshkimi, kjo është përditshmëria e policëve që mbajnë në këmbë sigurinë e institucionit.
Denoncuesi shprehet se në shumë raste të dënuarit trajtohen më mirë se vetë punonjësit, ndërsa kushtet e punës janë aq të rënda sa disa policëve u bien të fikët gjatë shërbimit. Ankesa nuk bëhen, sepse kush flet “digjet”. Varfëria dhe nevoja për rrogën i mban të detyruar të heshtin.
Kujtojmë se vetëm disa muaj më parë, një punonjës i Policisë së Burgjeve i cili punonte pikërisht në këtë IEVP i dha fund jetës me armën e shërbimit. Kolegët e tij denoncuan se presionet e vazhdueshme nga drejtuesit kishin ndikuar rëndë në gjendjen e tij psikologjike.
Në këtë pikë, Klevis Qose, si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, nuk mund të fshihet pas zyrës. Edhe nëse nuk i jep personalisht këto urdhra, ai është përgjegjës për një sistem që po shkatërron njerëzit që punojnë brenda tij.
Policët e Burgjeve nuk janë prona jote, as e vartësve të tu. Ata nuk janë numra, nuk janë robotë dhe nuk janë skllevër. Janë qytetarë që shërbejnë për shtetin dhe meritojnë respekt, kushte normale pune dhe mbrojtje. Qose duhet të marrë menjëherë masa për të ndaluar këto akte barbare që kryhen nga eprorët e Burgut 313 ose nëse hesht po pohon atë që kanë shkruar punonjësit.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Dua të ngre një shqetësim. Jam një punonjës policie në burgun 313 dhe dua të them që aty punonjësit e policisë trajtohen si skllevër nga eprorët. Theksoj: eprorët me të paraburgosurit komunikojnë me shumë etikë, ndërsa me punonjësit e policisë me harbutëri, me presione dhe me kërcënime.
Por të gjithë ulin kokën dhe rrinë, sepse janë shumë fukarenj dhe ju duhet ajo (lëmoshë) rrogë për të mbijetuar, sepse për të jetuar nuk bëhet fjalë.
Deri kur kështu? A do bëhemi ndonjëherë ne si vendet e civilizuara, ku punonjësi trajtohet me dinjitet, apo do mbetemi vend skllevër–pronarësh?
Ju lutem, e publikoni që t’u çirret maska atyre të paudhëve dhe ju siguroj që do merrni uratat e gjithë atyre punonjësve policie që këtyre eprorëve u kanë lënë vetëm Zotin, se s’kanë fuqi për më tepër.
Ju lutem anonim, se kanë “superfuqi” dhe përkrahje dhe na marrin në qafë familjarisht, jo vetëm për atë rrogë (lëmoshë), por edhe për sigurinë e jetës.