Kaosi rrugor në Don Bosko, emigranti: Ambulancat bllokohen nga makinat e parkuara kudo

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.12.2025, 12:52

Një emigrant shqiptar, i kthyer nga Italia, ka bërë një denoncim publik për situatën alarmante që ndodh çdo ditë në zonën e Don Boskos.

Ai tregon se makinat parkohen kudo, mbi trotuare, në mes të rrugës, pa respekt për rregullat e qarkullimit, ndërsa motorët lëvizin mbi trotuare, duke detyruar këmbësorët të ecin me frikë dhe të shmangin rrezikun.

Sipas denoncimit, situata bëhet dramatike sidomos në rastet e emergjencës. Pamjet e siguruara tregojnë një ambulancë me sirenë aktive që nuk arrin të kalojë për shkak të makinave të parkuara në mes të rrugës.

Emigranti thekson se është e papranueshme që për të përshkuar vetëm 5 kilometra një ambulancë të humbasë deri në 30 minuta për shkak të trafikut dhe mungesës së respektit për jetën e tjetrit.

Ai apelon për ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke paralajmëruar se kjo situatë nuk është thjesht një denoncim, por një rrezik real për jetën e njerëzve.

Denoncimi i emigrantit:

Përshëndetje, dua të bëj një denoncim publik për situatën shumë të rëndë që po përjetohet çdo ditë në zonën Don Bosko.

Në lagje makinat parkohen kudo: mbi trotuare, në mes të rrugës, senza asnjë respekt për rregullat. Motorët qarkullojnë mbi trotuare dhe këmbësorët janë të detyruar të ecin me frikë, duke u kthyer vazhdimisht mbrapa për të shmangur rrezikun.

Nuk ka parkim, askush nuk respekton ligjin dhe problemi bëhet dramatik kur ka emergjenca. Siç shihet edhe në video, një ambulancë me sirenë aktive nuk arrin të kalojë sepse askush nuk hap rrugën. Njerëz të parkuar në mes të rrugës, që qeshin, pinë cigare dhe sillen sikur asgjë të mos kishte ndodhur, ndërsa pas tyre ka dikë që ka nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.

Është e papranueshme që për të bërë vetëm 5 km, një ambulancë të humbasë 30 minuta për shkak të trafikut dhe mungesës totale të civilizimit dhe respektit. Pyetja është e thjeshtë: ku është civilizimi? Ku është respekti për jetën e tjetrit? Kjo situatë nuk është më thjesht bezdi, por rrezik real për jetën e njerëzve. Shpresoj që kjo faqe ta publikojë këtë problem, sepse Don Bosko nuk mund të vazhdojë të jetojë në këtë kaos total.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit