Kryqëzimi i rrezikshëm i Cakranit merr një tjetër jetë, 16-vjeçari po kthehej nga puna

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.12.2025, 10:56

Policia e Fierit vijon hetimet për aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në autostradën Levan–Tepelenë, ku humbi jetën një 16-vjeçar që drejtonte një automjet tip “Peugeot”.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se automjeti që drejtonte i mituri nuk ishte në pronësi të prindërve apo të ndonjë të afërmi të tij. Viktima punonte pas orarit të shkollës në një pikë shërbimi automjetesh, çka ka ngritur dyshime tek ekspertët e sigurisë rrugore se mjeti mund të jetë marrë pikërisht aty.

Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa mekanizmi i ngjarjes është zbardhur. Sipas Policisë, aksidenti lidhet me një nga problematikat e njohura të kësaj autostrade, kryqëzimet lidhëse mes fshatrave të zonës, të cilat shpeshherë janë bërë burim përplasjeje.

Rreth orës 19:00, automjeti “Peugeot” me drejtues 16-vjeçarin ka hyrë në autostradë nga rruga e Cakranit, në drejtim të krahut tjetër të saj, nga ana e fshatit Buzëmadh. Në këtë moment, një automjet tip “Benz”, që lëvizte në drejtim të Levanit, është përplasur me mjetin e të miturit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Vetëm dy javë më parë, në të njëjtin segment rrugor, një furgon i Forcave Ndërhyrëse të Shpejta, me gjashtë efektivë brenda, u përplas me një automjet që i preu rrugën teksa hynte në autostradë nga “kthesa e Cakranit”. Në atë rast, efektivët dhe drejtuesi i mjetit tjetër u lënduan lehtë, ndërsa aksidenti i fundit rezultoi fatal.

Sipas të dhënave paraprake, shkak për të dyja ngjarjet dyshohet të jetë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve. Policia rrugore po heton për të përcaktuar pronësinë e automjetit që drejtonte 16-vjeçari.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, Syrja Begaj, është arrestuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit