Çmimet e ushqimeve në rang global po shënojnë rritje në fund të vitit. Sipas matjeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), në muajin nëntor indeksi i çmimeve arriti në 127.5 pikë, me një rritje prej 0.9 pikësh krahasuar me tetorin. Ky është niveli më i lartë i shënuar në 19 muajt e fundit.
Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë vajrat bimore, veçanërisht për shkak të shqetësimeve mbi rendimentin e ulët të vajit të palmës, si pasojë e reshjeve të shumta në Azinë Juglindore. Megjithatë, sipas Unionit Agroushqimor Shqiptar, efekti në tregun vendas pritet të jetë i kufizuar.
Ekspertët e këtij Unioni shprehen se nuk ka vend për alarm: tregtarët shqiptarë kanë gjetur tregje alternative furnizimi dhe, sipas tij, një anije me vaj është aktualisht në rrugë drejt vendit.
Ndërkohë, rritje vijon të shënojë edhe kategoria e qumështit dhe nënprodukteve të tij. Indeksi i çmimeve për këto produkte u rrit në 139.9 pikë në nëntor, nga 139 pikë në tetor. Për shkak të varësisë së lartë nga importet, kjo rritje pritet të reflektohet shpejt edhe në tregun shqiptar.
Sipas tyee, rritja e kostove të prodhimit po e bën gjithnjë e më të vështirë prodhimin vendas, ndërsa çmimet e rritura në vendet furnizuese, si Serbia, do të transmetohen edhe në Shqipëri.
Në të kundërt, çmimet e mishit dhe nënprodukteve të tij shënuan një lehtësim të lehtë në nëntor. Indeksi për këtë kategori ra në 118.1 pikë, nga 119.1 pikë një muaj më parë.
Në prag të festave të fundvitit, njohës të tregtisë së jashtme sugjerojnë ndërhyrje të qeverisë për të frenuar rritjen e çmimeve, përmes uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në import. Sipas tyre, të ardhurat e larta nga TVSH-ja në import duhet të shoqërohen me masa lehtësuese për qytetarët.
FAO paralajmëron se çmimet globale të ushqimeve pritet të vijojnë rritjen edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke rrezikuar rikthimin e presioneve inflacioniste në shkallë botërore.