Vakti i drekës në vigjilje të Krishtlindjeve u shndërrua në tragjedi në Settimo Torinese, Itali, ku një burrë 47 vjeç, Giovanni Lopez, humbi jetën pasi u mbyt nga një kafshatë ushqimi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, pak para drekës familjare, në banesën e prindërve të tij në lagjen Borgo Nuovo. Fillimisht u raportua se shkaku ishte një copë panetone, por sipas sqarimeve të mëvonshme, mbytja u shkaktua nga një copë fruti, konkretisht mandarinë, e konsumuar së bashku me ëmbëlsirën.
Familjarët njoftuan menjëherë shërbimet e urgjencës. Ekipi mjekësor i ndërhyrë në vendngjarje tentoi për një kohë të gjatë manovrat e shpëtimit, por për 47-vjeçarin nuk pati asnjë mundësi.
Në vendngjarje ndërhynë gjithashtu karabinierët e Settimo Torinese dhe mjeku ligjor i ASL TO4 për verifikimet e nevojshme. Në mbrëmjen e 25 dhjetorit, autoritetet konfirmuan se vdekja ishte aksidentale.