Bien çmimet e materialeve të ndërtimit, por shtëpitë mbeten të shtrenjta

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25.12.2025, 21:52

Çmimet e lëndëve të ndërtimit në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie gjatë këtij viti, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e vlerës së importeve në Shqipëri. Megjithatë, kjo ulje nuk është reflektuar pothuajse aspak në çmimet e ndërtimeve në tregun vendas.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, sasia e materialeve të ndërtimit të importuara në 11-mujorin e këtij viti ka arritur në rreth 1.26 milionë tonë, me një rritje prej 1.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo tregon se volumi fizik i materialeve të importuara ka qenë disi më i lartë.

Në të kundërt, vlera totale e importeve ka pësuar rënie të ndjeshme, duke zbritur nga 111.2 miliardë lekë në 11-mujorin e vitit 2024, në 103.3 miliardë lekë këtë vit. Tkurrja është rreth 7.9 miliardë lekë, ose 7.1 për qind më pak.

Si pasojë, çmimi mesatar për kilogram i materialeve të ndërtimit të importuara ka rënë me rreth 8 për qind. Një kilogram materiale ndërtimi nga importi ka kushtuar mesatarisht 80.96 lekë, nga 88.3 lekë për kilogram që ishte një vit më parë. Ulja prej rreth 7.3 lekësh për kilogram tregon presion të fortë rënës mbi çmimet në tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, kjo rënie nuk është ndjerë në tregun e brendshëm. Të dhënat për kostot e ndërtimit tregojnë se në tremujorin e tretë, çmimet e materialeve të ndërtimit në pikat e pakicës janë ulur vetëm 0.1 për qind, një ndryshim pothuajse i papërfillshëm për konsumatorët dhe ndërtuesit.

Ekspertët vlerësojnë se çmimet e lëndëve të para janë normalizuar pas rritjeve të forta të periudhës 2021–2023. Materiale si çeliku, çimentoja, alumini dhe produkte të tjera bazë kanë shënuar ulje në tregjet ndërkombëtare, duke u reflektuar drejtpërdrejt në çmimet e importit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, është vënë re edhe një ndryshim në strukturën e kërkesës, me orientim drejt materialeve më bazike dhe më pak të kushtueshme. Operatorët e tregut raportojnë rritje të importeve të hekurit nga Kina, e cila më parë nuk ishte një burim kryesor furnizimi.

Ndërkohë, vërehet edhe një ngadalësim i kërkesës për materiale ndërtimi, për shkak të ritmit më të moderuar të projekteve të reja. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, çmimet e ndërtimeve përfundimtare mbeten të larta, duke mos reflektuar uljen e kostove të materialeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit