Një video e pazakontë ka mbërritur mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania, ku shihet një automjet në lëvizje, brenda të cilit pasagjeri hedh fishekzjarre nga xhami i makinës, duke krijuar rrezik për qarkullimin rrugor, banorët e zonës dhe kalimtarët.
Sipas informacioneve të dërguara nga qytetarët, episodi është regjistruar mbrëmjen e sotme në Bulevardin “Dyrrah”, vetëm pak metra pranë qendrës së Durrësit. Automjeti i përfshirë në këtë veprim të papërgjegjshëm ishte me targa gjermane, ndërsa personat brenda tij dyshohet se ishin shqiptarë të kthyer nga emigrimi për festat e fundvitit.
Pamjet tregojnë momentin kur fishekzjarret hidhen nga xhami i pasagjerit, ndërsa automjeti vijon lëvizjen. Ngjarja nuk ka kaluar pa u vënë re nga shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë duke ndaluar mjetin për procedurat përkatëse.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur më pas me drejtuesin e mjetit apo pasagjerin, pasi videoja përfundon në momentin kur policia ndalon automjetin. Vlen të theksohet se përdorimi i fishekzjarreve dhe lëndëve piroteknike është i ndaluar me ligj prej disa vitesh në Shqipëri, rregull ky që duhet respektuar nga të gjithë, përfshirë edhe vizitorët apo emigrantët që kthehen në atdhe.
JOQ Albania publikon pamjet për ndërgjegjësim, duke kujtuar se përdorimi i fishekzjarreve në këtë mënyrë përbën rrezik serioz për sigurinë publike, veçanërisht në zona të frekuentuara si bulevardi qendror i qytetit.