Ndërsa për shumë familje Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë ditë gëzimi, tryezash festive dhe bashkimi familjar, për mijëra qytetarë në Shqipëri festat kalojnë në vetmi. Emigrimi masiv i të rinjve ka lënë pas prindër të moshuar, të cilët i përjetojnë këto ditë pa praninë e fëmijëve.
Disa emigrantë arrijnë të kthehen për festat, por jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Për shumë familje, distanca, kostot dhe angazhimet jashtë vendit e bëjnë të pamundur rikthimin, duke i kthyer festat në ditë pritjeje dhe malli për prindërit që kanë mbetur në Shqipëri.
Mes tyre është edhe Veli Jaci, i cili jeton vetëm me bashkëshorten, ndërsa fëmijët i ka të shpërndarë jashtë vendit. Në një prononcim për mediat, ai tregoi se vajza e tij prej 10 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se festat i kalojnë larg njëri-tjetrit.
Si Veliu, janë të shumtë të moshuarit që presin Krishtlindjen dhe Vitin e Ri pa zërat dhe praninë e fëmijëve. Ka edhe nga ata që mezi presin ditët festive me shpresën se do të takojnë familjarët, por për shumë të tjerë kjo mbetet vetëm një dëshirë.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 103 mijë persona në Shqipëri jetojnë të vetëm, dhe mbi 62 për qind e tyre janë mbi moshën 60 vjeç. Për këtë kategori, festat jo rrallë thellojnë ndjesinë e vetmisë dhe mungesës së mbështetjes familjare.
Në një ditë që simbolizon dashurinë, ngrohtësinë dhe bashkimin, Krishtlindja për shumë të moshuar mbetet një ditë e heshtur. Një realitet që rikujton nevojën për më shumë vëmendje, solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që i kanë dhënë shoqërisë, por sot festojnë në vetmi.