Kjo nuk është një foto e inskenuar, as një realizim artistik dhe as propagandë politike. Është një pamje reale nga bulevardi i Vlorës, ku një grua e moshuar ka përfunduar e rrëzuar në mes të rrugës, e ndihmuar nga kalimtarë të rastit, pasi është penguar nga bordurat prej guri dhe pllakat e rrëshqitshme të vendosura nga Bashkia.
Gruaja në foto nuk është “statistikë”. Ajo është nënë, bashkëshorte dhe banore e këtij qyteti, ashtu si dhjetëra të tjerë që çdo ditë rrezikojnë shëndetin në emër të një “investimi estetik” të quajtur Rilindje Urbane. Bordurat e larta prej guri dhe pllakat e lëmuara, të cilat bëhen jashtëzakonisht të rrëshqitshme në ditë me shi apo lagështi, po kthehen në kurthe të përditshme për këmbësorët.
Sipas banorëve dhe dëshmive të shumta në rrjete sociale, rastet e rrëzimeve janë shtuar ndjeshëm. Të moshuar, gra, fëmijë, por edhe persona me aftësi të kufizuara, e kanë pothuajse të pamundur të ecin normalisht në disa segmente të bulevardit. Megjithatë, bashkia vijon të heshtë, ndërsa investimi mbetet i pandryshuar.
Ironia qëndron në faktin se këto punime janë prezantuar si përmirësim i hapësirave publike dhe rritje e sigurisë urbane. Në praktikë, ato po prodhojnë të kundërtën: dëmtime, fraktura, trauma dhe frikë për të dalë në rrugë. Gurët dekorativë dhe pllakat e rrëshqitshme nuk janë luks urban, por rrezik real.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: sa qytetarë duhet të rrëzohen, sa duar e këmbë duhet të thyhen, që Bashkia e Vlorës të pranojë se ky “investim” ka dështuar? Heqja e këtyre bordurave dhe zëvendësimi i pllakave me materiale të sigurta nuk është çështje shijeje, por detyrim minimal ndaj qytetarëve.
Derisa të ketë reagim institucional, pamje si kjo do të vazhdojnë të përsëriten. Dhe përgjegjësia nuk është e “fatit të keq”, por e vendimeve të gabuara që po sakatojnë çdo ditë vlonjatët.