“Mbaruat xhiron ju dhe tani vini këtu?”, besimtarët ortodoksë nuk lejohen të futen në katedrale

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.12.2025, 20:40

Një denoncim i pazakontë ka mbërritur pasditen e sotme në redaksinë e JOQ Albania nga një besimtare ortodokse, e cila raporton një situatë që sipas saj nuk e kishte përjetuar asnjëherë më parë.

Sipas qytetares, rreth orës 16:57, ajo dhe disa besimtarë të tjerë janë paraqitur në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me qëllimin për të ndezur qirinj, një praktikë që, sipas saj, kryhet prej vitesh në këtë orar, veçanërisht gjatë festave.

Në videon e dërguar në redaksi dallohet qartë momenti kur besimtarët nuk lejohen të futen brenda kishës, ndërsa një person i stafit u kërkon të qëndrojnë jashtë, duke u thënë se mund t’u japë qirinj për t’i ndezur, por pa hyrë në ambientet e brendshme.

Besimtarja shprehet e revoltuar, duke theksuar se nuk kishte asnjë njoftim paraprak që kisha do të ishte e mbyllur në atë orar, ndërkohë që edhe në faqen zyrtare online rezultonte ende si “hapur”.

Sipas saj, personi i kishës që nuk i lejoi të hynin është shprehur se 'ishin të lodhur', pasi kishin qenë në shërbim që prej mesnatës. Qytetarja thekson se ky justifikim nuk qëndron, duke qenë se shumë njerëz punojnë me turne edhe gjatë festave dhe se dera e kishës nuk i është mbyllur kurrë më parë në këto orare, gjatë 35 viteve që ajo e frekuenton.

Denoncimi i qytetares:

“Në orën 16:57 kam shkuar te Katedralja Ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit’ e Tiranës. Si unë, edhe shumë besimtarë pasdite shkojmë për të ndezur qirinj. Në internet figuron ‘hapur’, ndërkohë që u mbyll në atë orë. Si unë dhe shumë besimtarë të tjerë, të revoltuar, u lutëm të hynim vetëm sa për të ndezur qirinj, por përgjigjja ishte: ‘Mbaruat xhiron ju dhe tani vini ju? Kemi qenë që në orën 12 të natës dhe jemi lodhur’. Kam 35 vite që shkoj në këto orare dhe kurrë nuk ka ndodhur kjo situatë. Sot ishte edhe 25 dhjetor. Uroj besimtarët ‘Gëzuar Krishtlindjet dhe mbarësi në familjet e tyre’. Për ata të kishës, Zoti pastë mëshirë.”

E kontaktuar nga JOQ Albania, qytetarja konfirmoi se nuk kishte asnjë njoftim zyrtar në rrjetet sociale për ndryshim orari dhe se shumë besimtarë të tjerë ndodheshin pranë derës së kishës, të habitur dhe të shqetësuar nga situata.

JOQ Albania e publikon këtë denoncim për transparencë publike, duke theksuar se bëhet fjalë për pretendime të një qytetareje, ndërsa nga pamjet video konfirmohet vetëm fakti se besimtarët nuk u lejuan të hynin në ambientet e brendshme të kishës. Institucionet përkatëse apo përfaqësuesit e kishës mbeten të hapur për një sqarim zyrtar mbi këtë situatë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit