Ukraina ka goditur një nga rafineritë kryesore të naftës në jug të Rusisë duke përdorur raketa britanike Storm Shadow, kanë bërë të ditur zyrtarë ushtarakë dhe të sigurisë në Kiev.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, sulmi ka shënjestruar rafinerinë e naftës Novoshakhtinsk, në rajonin rus të Rostovit, ku janë regjistruar disa shpërthime të njëpasnjëshme.
“U regjistruan disa shpërthime. Objektivi u godit”, thuhet në njoftimin e publikuar në Telegram.
Zyrtarët ukrainas bëjnë me dije se kjo rafineri ishte një nga furnizueset më të mëdha të produkteve të naftës në jug të Rusisë, duke siguruar naftë dhe karburant aviacioni për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë.
Britania e Madhe i ka dhënë Ukrainës leje që prej vitit të kaluar për të përdorur raketat Storm Shadow edhe brenda territorit rus, ndërsa goditjet e para të njohura me këtë armë u raportuan në nëntor.
Paralelisht, dronë ukrainas me rreze të gjatë veprimi kanë goditur edhe depo të produkteve të naftës në portin Temryuk, në rajonin rus të Krasnodarit, si dhe një central përpunimi gazi në Orenburg, rreth 1,400 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Autoritetet ruse në Krasnodar konfirmuan se dy depo karburanti u përfshinë nga flakët pas sulmit me dronë, ndërsa zjarri u përhap në një sipërfaqe prej rreth 2,000 metrash katrorë.
Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit nga të dyja palët. Kievi ka intensifikuar goditjet ndaj rafinerive dhe objekteve energjetike ruse, me synimin për të reduktuar të ardhurat nga nafta, një nga burimet kryesore të financimit të luftës për Moskën.
Ndërkohë, në frontin diplomatik, Rusia ka deklaruar se ka “përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm” në negociatat për paqe me Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi disa vende të Europës Perëndimore se po përpiqen të sabotojnë procesin.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ka zhvilluar një bisedë rreth një orë me përfaqësues amerikanë, duke thënë se janë diskutuar ide të reja për afrimin e një paqeje reale, përfshirë formatin e takimeve dhe afatet kohore.