Sot do të kujtojmë një procedurë konkrete prokurimi publik që mbetet domethënëse për mënyrën se si funksionon pushteti lokal dhe lidhjet politike në Shqipëri. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-77151-10-29-2020, të zhvilluar nga Bashkia Shkodër në fund të vitit 2020, në kohën kur institucioni drejtohej nga demokratja Voltana Ademi, e cila sot nuk mban më këtë post.
Sipas dokumenteve zyrtare, kompania e Arbër Abazit, nip i ish-deputetit socialist Sadri Abazi, u shpall fituese e kontratës me vlerë 180 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në garë rezulton se morën pjesë gjithsej pesë operatorë ekonomikë, por tre prej tyre u skualifikuan, ndonëse kishin paraqitur oferta më të ulëta financiare. Oferta fituese rezultoi në nivelin 94.6% të fondit limit, një përqindje që në praktikat e prokurimit publik konsiderohet tregues i mungesës së konkurrencës reale.
Sot, pesë vite më vonë, ky rast tregon shumë. Ai përforcon perceptimin publik se, pavarësisht rotacionit politik dhe ndryshimit të emrave në detyra, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vazhdojnë të ndërthuren në vendimmarrje dhe interesa, sidomos kur bëhet fjalë për fonde publike. Ndërsa politika bashkëpunon në heshtje, qytetarët mbeten jashtë këtij sistemi, me besimin të rrënuar dhe me shpresën gjithnjë e më të larguar nga shteti, e shpesh e mbetur vetëm te Zoti.