Gruaja në hije e pushtetit, Karçanaj u denoncua për vite me radhë nga JOQ por u mbrojt deri në ndërhyrjen e SPAK

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.12.2025, 13:51

Sot, pas një hetimi të gjerë të SPAK, emri i Mirlinda Karçanajt, drejtoreshë e AKSHI-t, dominoi çdo media televizive, online dhe të shkruar në vend. Ajo rezulton zyrtarja më e lartë femër e vendosur nën masë arresti, në një dosje që hedh dritë mbi një nga skemat më të rënda të abuzimit me fondet publike dhe sigurinë digjitale në Shqipëri. Një emër që për publikun e gjerë u bë “lajm” vetëm sot, por që për JOQ Albania ka qenë objekt denoncimi i pandërprerë prej vitesh.

Që prej vitit 2013, Karçanaj ka qenë një nga figurat më të fuqishme në hije të pushtetit. Përpara se të shfaqej në konferenca zyrtare përkrah kryeministrit Rama, ajo ishte thuajse e panjohur për mediat tradicionale, të cilat raportojnë evente, por rrallë guxojnë të prekin tenderët e dyshimtë dhe interesat milionëshe që zhvillohen pas kuintave. Në këtë heshtje të gjatë mediatike, JOQ Albania zgjodhi një tjetër rrugë: denoncimin publik.

Emri i Karçanajt nuk lidhet vetëm me tendera të dyshuar, por me pothuajse çdo skandal madhor “digjital” të dekadës së fundit: rrjedhjen masive të të dhënave personale të qytetarëve, përdorimin e tyre për qëllime elektorale, publikimin e pagave të qindra mijëra punonjësve, rënien e sistemeve shtetërore pas sulmeve kibernetike dhe dobësimin kritik të sigurisë kombëtare të informacionit. Një seri ngjarjesh që në çdo vend normal do të kishin sjellë shkarkime të menjëhershme dhe hetime penale. Por jo në këtë rast.

Pyetja që sot shtrohet natyrshëm është: si ka mundur Mirlinda Karçanaj të qëndrojë për gati 12 vite e paprekshme? Lidhjet e saj të drejtpërdrejta me pushtetin politik. Karçanaj ka qenë pranë kryeministrit Rama që në kohën e Bashkisë së Tiranës; u largua kur u largua ai dhe u rikthye me rikthimin e tij në pushtet. Ajo konsiderohej një nga njerëzit më të besuar të tij, një garanci politike që, sipas denoncimeve, e mbrojti nga çdo pasojë, ajo u bë e paprekshme nga çdo denoncim që redaksia jonë ngrinte zërin.

Dosja e SPAK, e cila çoi në masën e arrestit shtëpiak për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, përshkruan një mekanizëm të qartë dhe të organizuar: tenderë të paracaktuar, kritere të ndërtuara sipas fituesve, fryrje fondesh dhe presion sistematik ndaj kujtdo që kundërshtonte. Në përgjime përmenden shifra që dyfishohen, role që ndahen dhe një logjikë grabitjeje që vështirë se mund të funksiononte pa mbështetje politike, pikërisht atë që JOQ Albania ka denoncuar publikisht prej vitesh.

Në këtë skemë të dyshuar abuzimi, Karçanaj nuk paraqitet thjesht si drejtoresha që firmoste dokumente, por si nyja lidhëse mes vjedhjes, sistemit dhe politikës. Arrestimi i saj sot nuk është një surprizë për ata që kanë ndjekur denoncimet e JOQ Albania; është thjesht konfirmimi zyrtar i asaj që është thënë prej kohësh dhe është injoruar sistematikisht.

Më 18.08.2020, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, zhvilloi një tender për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me objekt automatizimin dhe monitorimin e aktivitetit të inspektorëve tatimorë, me një fond rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Sipas të dhënave të tenderit, në garë morën pjesë vetëm dy kompani, ku vetëm njëra paraqiti ofertë ekonomike, ndërsa fituese u shpall “Image & Communications Development” shpk, kompani që ka rezultuar fituese edhe në disa tendera të tjerë të organizuar nga AKSHI. Ky proces ka nxitur kritika dhe dyshime për konkurrencë të kufizuar, transparencë të ulët dhe për rolin e AKSHI-t në organizimin e shërbimeve informatike për institucionet shtetërore.

Më 20.02.2021, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, shpalli fituesin e tenderit për “Sistemin e bazës së të dhënave për Trafikun Detar” për Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, me numër reference REF-73389-09-29-2020. Tenderi kishte fond limit 130,126,659 lekë të reja pa TVSH, ndërsa kompania fituese u shpall IKUBINFO, e cila ka si një ndër pronarët edhe Armand Sharrën, administrator i “INFOSOFT SYSTEMS”, me një ofertë prej rreth 1.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Në garë morën pjesë katër kompani, ku njëra kishte ofruar rreth 230 milionë lekë më pak se IKUBINFO, por kjo nuk e ndaloi shpalljen e saj fituese. Diferenca minimale mes ofertës fituese dhe fondit limit ka ngritur dyshime për paracaktim të fituesit dhe favorizime të mundshme gjatë procedurës së tenderit nga AKSHI.

Më 04.04.2021, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, u vu sërish në qendër të kritikave pas publikimit të detajeve të një tenderi të shpallur më 23.03.2021 për “Mirëmbajtjen e sistemit e-Taxation” për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me numër reference REF-90570-03-19-2021. Tenderi ka një fond limit prej 199,294,000 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 2.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH, një shumë që sipas kritikëve konsiderohet e tepruar për një shërbim mirëmbajtjeje dhe që ngre pikëpyetje mbi arsyetimin e shpenzimit të këtyre fondeve publike. Duke qenë se termi “mirëmbajtje” është shpesh objekt debatesh për abuzime të mundshme, ky proces ka shtuar dyshimet për transparencën dhe eficiencën e përdorimit të parave të taksapaguesve, ndërsa vëmendja është përqendruar te kompania që pritet të shpallet fituese e kësaj shume të konsiderueshme.

Më 02.11.2022, u raportua se drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, i ka drejtuar një shkresë zyrtare Departamentit të Administratës Publike dhe Këshillit të Ministrave, datë 30 gusht, ku kërkohet katërfishimi i pagave për veten dhe punonjësit e institucionit. Sipas dokumentit, paga e drejtoreshës propozohet të arrijë në rreth 4300 euro, ndërsa ajo e punonjësve mesatarisht 3500 euro, me specialistë që pritet të paguhen rreth 3000 euro. Kërkesa ka ngjallur reagime për shkak se vjen pas skandaleve të rrjedhjeve masive të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë nga sistemet shtetërore, ndërkohë që AKSHI ka shpenzuar miliarda lekë në tendera për sisteme sigurie. Sipas burimeve, rritja e pagave është miratuar parimisht nga qeveria, në linjë me deklaratat e kryeministrit për rritjen e pagave në AKSHI, ndërsa fondi i pagave për vitin 2023 kërkohet të rritet nga 206.9 milionë lekë në 943 milionë lekë.

Më 11.01.2023, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) u përfshi në polemika lidhur me një tender me vlerë 173.220.000 lekë, të dhënë për reklamimin e portalit qeveritar e-Albania, i cili prej kohësh është kritikuar për mosfunksionim dhe probleme serioze sigurie pas sulmeve të përsëritura kibernetike. Pavarësisht denoncimeve të qytetarëve për dështimin e shërbimeve online, drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka vënë theksin te promovimi i portalit, duke shpallur fituese kompaninë “Spot Communications” shpk, në një garë ku morën pjesë edhe “Ogilvy” shpk dhe “1Up” shpk. Sipas raportimeve mediatike, janë ngritur dyshime për lidhje mes kompanive pjesëmarrëse, për shkak të historikut të administratorëve, ortakërive dhe faktit se ato rezultonin në të njëjtën adresë në Lundër në kohën e tenderit. Megjithë këto pretendime, AKSHI nuk ka dhënë sqarime zyrtare, ndërsa Mirlinda Karçanaj ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit, duke shtuar debatet mbi transparencën dhe përdorimin e fondeve publike.

Më 05.09.2023, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, zhvilloi një tender me negocim pa njoftim për “Mirëmbajtje dhe përmirësim i sistemit të integruar të informacionit për shëndetësinë (S.I.I.S) – për Spitalin Universitar të Traumës”, me numër reference REF-77107-08-09-2023. Tenderi, me fond limit 65,500,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 800 milionë lekë të vjetra me TVSH, mori pjesë vetëm një kompani, “ONI” në pronësi të Reshat dhe Indrit Koçkiçit, e cila ofroi 65,100,000 lekë të reja pa TVSH, thuajse e njëjta me fondin limit. Mungesa e konkurrencës dhe afërsia e ofertës me fondin limit kanë ngritur dyshime për procedurë formale dhe përfitime të paracaktuara, duke shtuar kritikat mbi transparencën e AKSHI-t dhe përdorimin e fondeve publike.

Më 15.09.2024, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli fituesin e tenderit për “Sistemin e Kontrollit dhe Vlerësimit të Sigurisë Kibernetike” për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, një procedurë që ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe konkurrencën. Tenderi, me numër reference REF-12462-07-08-2024, kishte një fond limit prej 151,199,546 lekë të reja pa TVSH, ndërsa fituese u shpall kompania FIRST, në pronësi të Gëzim Hoxhës, me ofertën 139,999,999 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 93% të fondit limit. Pavarësisht se procedura u zhvillua si e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, në të mori pjesë vetëm një kompani, e cila rezultoi automatikisht fituese. Mungesa totale e konkurrencës dhe afërsia e ofertës me fondin limit kanë shtuar dyshimet për mënyrën e zhvillimit të këtij tenderi, duke nxitur diskutime mbi drejtësinë e procesit dhe nevojën për verifikim nga autoritetet mbikëqyrëse.

Më 23.08.2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli fituesin e tenderit për “Përmirësimin e Sistemit të Thesarit”, një proces që ka ngjallur kritika për mungesë konkurrence dhe mënyrën e zhvillimit të procedurës. Tenderi, me fond limit 750,314,460 lekë pa TVSH, u fitua nga bashkimi i operatorëve COMMUNICATION PROGRESS (Gentian Likaj dhe Enkeleidi Zoraqi) dhe HORIZON (Ermal Beqiri) me ofertën 679,999,999 lekë pa TVSH, ose rreth 8.3 milionë euro me TVSH, duke përfaqësuar 90.6% të fondit limit. Nga katër kompanitë pjesëmarrëse, dy nuk paraqitën asnjë ofertë, duke rritur dyshimet për fitues të paracaktuar. Megjithë hetimet e BKH dhe interesin e SPAK mbi shkeljet ligjore dhe favorizimet e mundshme të Ermal Beqirit dhe kompanisë së tij “Soft & Solution”, ai arriti të përfitojë kontratën e konsiderueshme, gjë që ka nxitur debate mbi transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike nga AKSHI.
Më 12.11.2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, zhvilloi një tender me fond limit rreth 800 mijë euro (76.3 milionë lekë) për “Mirëmbajtjen e Sistemit elektronik e-Inspektimi për Inspektoratin Qendror”, një procedurë që ka ngritur dyshime për mungesë konkurrence. Në garë morën pjesë tre operatorë ekonomikë, por vetëm njëri konkurronte realisht, ndërsa kompanitë “Infosoft System” dhe “Infosoft Business Solution” paraqitën ofertë prej 73.2 milionë lekësh dhe u shpallën fituese, me një diferencë modeste prej 20 mijë eurosh nga fondi limit. Dyshimet lindin mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe nëse mosparaqitja e ofertave të vlefshme nga pjesëmarrësit e tjerë ishte neglizhencë apo favorizim i qëllimshëm, duke e bërë këtë tender një garë “sa për sy e faqe” dhe duke ngjallur debate mbi përdorimin e fondeve publike nga AKSHI.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit