Mbeturinat po kthehen në një problem shqetësues në plazhin e Durrësit, ku sipas denoncimeve të qytetarëve, persona të ndryshëm hedhin mbetje pranë detit, ndërsa ato mbeten pa u pastruar për disa ditë me radhë. Situata është dokumentuar edhe përmes videove, ku duket qartë ndotja në një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit veror.
Një tjetër problem serioz është mungesa totale e koshave të plehrave përgjatë shëtitores dhe pedonales në zonën A të plazhit. Qytetarët shprehen se mungesa e infrastrukturës bazë për menaxhimin e mbetjeve dhe neglizhenca e autoriteteve vendore e bëjnë situatën të papranueshme, duke dëmtuar jo vetëm mjedisin, por edhe imazhin turistik të zonës.
"Përshëndetje JOQ! Ju lutem publikoni këto pamje nga plazhi i Durrësit, pasi nga persona të ndryshëm hidhen mbeturina pranë detit dhe për disa ditë nuk mblidhen nga punëtorët e bashkisë. Gjithashtu, në të gjithë shëtitoren ose pedonalen në zonën A të plazhit nuk ekziston asnjë kazan plehrash ose diku ku të hidhen mbeturinat, kjo është e pafalshme", shkruhet në denoncim.