Cikalleshi drejt rikthimit në Shqipëri për të mbyllur karrierën? Kavajasi takon drejtuesit e Flamurtarit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.12.2025, 09:44

Prej vitesh tashmë, është kthyer pothuajse në traditë që futbollistët e formuar në kampionatin shqiptar, e më pas të afirmuar jashtë vendit, të rikthehen në Superligë për të mbyllur karrierën e tyre. Motivet janë të ndryshme: nga dëshira për t’i dhënë diçka klubit ku hodhën hapat e parë, deri te lidhja emocionale me skuadrën e qytetit të lindjes.

Në të kaluarën nuk kanë munguar emra që e kanë ndërmarrë këtë rrugë, duke e konsideruar futbollin shqiptar si një nivel më të ulët, ku edhe në moshë të avancuar mund të bënin diferencën. Megjithatë, jo gjithmonë ky rikthim ka rezultuar i suksesshëm, pasi pavarësisht se Superliga nuk shquhet për spektakël apo nivel të lartë, ajo mbetet një kampionat i vështirë dhe kërkues.

I fundit që po tenton një rikthim të tillë është ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi. Pas shumë vitesh në futbollin turk, 35-vjeçari duket pranë vijës së finishit të karrierës. Sezoni i fundit në Turqi ishte thuajse i harrueshëm për të, me vetëm 12 minuta aktivizim, duke qëndruar gjatë gjithë kohës jashtë planeve të skuadrës.

Pa hapësira në Turqi dhe pas përjashtimit nga lista e Kombëtares në prag të Europianit, Cikalleshi duket se ka vendosur të rikthehet në Superligë, kampionat ku ka qenë protagonist përpara transferimit të tij në Turqi në vitin 2015.

Kontaktet e para janë zhvilluar me Flamurtarin, skuadër që po kalon një sezon tepër të vështirë. Vlonjatët renditen në vendin e parafundit në fund të vitit 2025 dhe po luftojnë për mbijetesë, pavarësisht se në letër janë një nga ekipet më të shtrenjta për nga përbërja. Takimi mes palëve është zhvilluar në Vlorë, në zyrat e klubit, me administratorin Sinan Idrizi.

Deri tani nuk ka asgjë zyrtare të konfirmuar nga lojtari apo klubi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Flamurtari do të jetë alternativa e vetme për Cikalleshin në këtë rikthim në Shqipëri, apo nëse në garë do të futen edhe skuadra të tjera.

Pavarësisht përvojës së gjatë në një kampionat të fortë dhe numrit të madh të golave të shënuar ndër vite, Superliga pritet të jetë një sfidë e vështirë për sulmuesin kavajas, sidomos pas një periudhe të gjatë pasiviteti dhe në një moshë jo më të re për futbollin profesionist.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit