Prej afro një muaji, aksi Kukës–Tuneli i Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit, vijon të jetë i përfshirë nga mjegulla e dendur dhe lagështia e lartë në trase. Kushtet atmosferike kanë mbetur thuajse të pandryshuara gjatë kësaj periudhe, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke kërkuar vëmendje të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.
Megjithë praninë e vazhdueshme të mjegullës, deri më tani nuk janë evidentuar probleme apo incidente që lidhen me qarkullimin rrugor në këtë segment. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe të përdorin dritat e mjegullës, për të garantuar një udhëtim sa më të sigurt.
Drejtuesit këshillohen të mbeten të kujdesshëm edhe në ditët në vijim, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë se mjegulla pritet të vazhdojë, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të borës.