Mesha e parë e Krishtlindjes për Papa Leonin XIV, Ati i Shenjtë sfidon shiun në sheshin e Shën Pjetrit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.12.2025, 08:43

Për herë të parë që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike, Papa Leo XIV kremtoi Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke i dhënë kësaj feste të shenjtë jo vetëm solemnitetin e traditës, por edhe një dimension të theksuar njerëzor dhe shpirtëror.

Vetëm pak minuta përpara fillimit të liturgjisë, Ati i Shenjtë surprizoi besimtarët duke dalë në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht shiut të dendur që kishte përfshirë Romën. Mijëra besimtarë e pritën Papën me emocione të forta dhe duartrokitje të zjarrta, duke e kthyer këtë çast në një moment të veçantë dhe simbolik.

I prekur nga përkushtimi dhe prania e tyre, Papa Leo XIV iu drejtua turmës me fjalë mirënjohjeje dhe bekimi: “Faleminderit që erdhët, edhe në shi. Urimet më të mira për të gjithë. Le ta festojmë Krishtlindjen së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja.”

Pas këtij momenti të ndjerë, Papa u drejtua drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, ku e priste një atmosferë madhështore dhe thellësisht shpirtërore. Mesha e Natës së Krishtlindjes, e para e tij si Papë, u kremtua në një bazilikë të mbushur plot me besimtarë nga e gjithë bota.

Gjatë mesazhit të tij, Ati i Shenjtë ndau edhe një reflektim të fortë mbi realitetin shoqëror: “Një ekonomi e shtrembëruar çon në trajtimin e njerëzve si mallra.”

Hyrja solemne e Papës u shoqërua nga himni tradicional “Noel”, i interpretuar nga Kori i Kapelës Sistine. Në Altarin qendror të Rrëfimit, Papa Leo XIV kremtoi meshën së bashku me rreth 250 klerikë të lartë, kardinalë, peshkopë dhe priftërinj, duke hapur kështu ritet e një prej netëve më të shenjta të kalendarit të krishterë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit