Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet se ka shkaktuar aksident me pasoja fatale në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30 në bulevardin “Bajram Curri”, ku inspektori, i cili shërbente në Patrullën e Përgjithshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke drejtuar motomjetin, përplasi kalimtarin 65-vjeçar P. F.
I moshuari u transportua menjëherë në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht ndërroi jetë rreth orës 21:00 si pasojë e plagëve të marra.
Si pasojë e aksidentit, edhe vetë punonjësi i policisë pësoi dëmtime ku po merr trajtim mjekësor.
Inspektori është vënë në pranga dhe ndaj tij po kryhet hetimi për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.