Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një takim me mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku u ndal te situata në spitalin Onkologjik dhe perceptimi publik mbi shërbimin shëndetësor.
Gjatë fjalës së tij, Rama iu referua skandalit të bërë publik më herët në Onkologjik, duke theksuar se bëhet fjalë për një rast të veçantë, për të cilin sipas tij është marrë drejtësia. Kryeministri nënvizoi se ky rast nuk përfaqëson shërbimin ndaj pacientëve në tërësi.
Sipas Ramës, të dhënat dhe takimet me pacientë tregojnë se pjesa dërrmuese e tyre kanë mbetur të kënaqur nga shërbimi i marrë në Onkologjik dhe në QSUT. Ai theksoi se shpeshherë në opinion dominojnë lajmet negative, ndërsa puna pozitive e mjekëve mbetet në hije.
“E mira nuk bën lajm, e keqja bën lajm. Kjo ndodh kudo,” u shpreh Rama, duke përmendur se çdo vit në QSUT realizohen rreth 60 mijë operacione dhe 35 mijë ndërhyrje kirurgjikale, shumica e të cilave përfundojnë me sukses.
Kryeministri shtoi se mjafton një rast i dështuar apo një shkelje e rëndë për të dëmtuar reputacionin e gjithë sistemit shëndetësor dhe trupës mjekësore, edhe pse, sipas tij, pjesa pozitive është ajo që dominon realisht në përditshmërinë e shërbimit.
Rama deklaroi se gjatë vizitave në Onkologjik janë takuar pacientë që kanë shprehur kënaqësi për trajtimin dhe përkushtimin e mjekëve, duke theksuar se detyra e institucioneve është të adresojnë problemet dhe të rrisin vazhdimisht standardet e shërbimit shëndetësor.