Ambasadori i Polonisë në Francë, Jan Emerick Rosyszewski, është shkarkuar nga detyra në pritje të përfundimit të një hetimi penal ndaj tij, ku dyshohet për përfshirje në një rast të ndikimit të pahijshëm, që lidhet me një institucion të përfshirë në lëshimin e diplomave të falsifikuara.
Sipas mediave të huaja, Rosyszewski, i cili mbante postin e ambasadorit në Paris që prej vitit 2022, u arrestua të martën sapo mbërriti në Aeroportin Frederic Chopin në Varshavë. Ai u mor në pyetje nga hetuesit e Byrosë Qendrore Kundër Korrupsionit (CBA) dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me akuzat.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme polake konfirmoi për agjencinë shtetërore të lajmeve PAP se ministri i Jashtëm, Radosław Sikorski, ka vendosur shkarkimin e përkohshëm të ambasadorit nga detyra, derisa të sqarohen plotësisht dyshimet ndaj tij.
“Ministri ka marrë vendimin për ta liruar nga detyra ambasadorin Rosyszewski, në pritje të rezultateve të hetimit,” deklaroi zëdhënësi i ministrisë.
Ndërkohë, drejtimin e misionit diplomatik të Polonisë në Paris do ta marrë përkohësisht zëvendësi i tij, Wiesław Tarka, i cili është emëruar si i ngarkuar me punë në ambasadë.
Autoritetet polake nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi shkallën e përfshirjes së Rosyszewski-t në këtë çështje, ndërsa hetimet vijojnë.