Dosja e AKSHI-t “nxjerr zbuluar” edhe autorët e vjedhjes së TIMS

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.12.2025, 21:32

Hetimet e SPAK për aferën e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë zbuluar “pa dashur” edhe elementë kyç të përfshirë në vjedhjen e databazës së sistemit TIMS të Policisë së Shtetit, ngjarje e ndodhur më 2 gusht 2023. Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për masat e sigurisë ndaj të akuzuarve të dosjes AKSHI, shfaqen të paktën dy personazhe që lidhen drejtpërdrejt me këtë skandal madhor.

Personazhi i parë është Ervina Gjana, e emëruar Drejtore e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike pikërisht në datën 2 gusht 2023, ditën kur u vodh databaza e TIMS. Emërimi i saj u bë në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Taulant Balla dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.

Në vendimin e gjykatës përfshihen edhe materiale filmike, ku një personazh tjetër, Ergys Agasi, dëgjohet duke paralajmëruar për një aksion policor, duke përmendur drejtpërdrejt emrin e Ervina Gjanës. Sipas hetuesve, ky komunikim ngre dyshime serioze për dekonspirim të aksioneve policore dhe shpërndarje të sekreteve hetimore.

Hetimi i SPAK ka evidentuar gjithashtu se procedura e emërimit të Gjanës ishte në shkelje të ligjit, pasi ajo kishte përfunduar studime për inxhinieri informatike, ndërkohë që drejtonte një strukturë hetimore, çka bie ndesh me kriteret ligjore për Policinë e Shtetit.

Në kuadër të hetimit për tenderat e AKSHI-t, BKH ka ushtruar kontrolle në banesën e Ervina Gjanës dhe bashkëshortit të saj, Renato Hristiç, i cili sipas të dhënave rezulton i lidhur ngushtë me Ergys Agasin. Dyshimet e hetuesve shkojnë më tej, duke sugjeruar se përmes Gjanës, Agasi mund të ketë ndikuar në vënien në lëvizje të strukturave të hetimit kibernetik për interesa personale apo ekonomike.

Personazhi i dytë që del në skenë është Klodian Mazari, një nga civilët që, sipas hetimeve, ka hyrë në ambientet e Policisë së Shtetit më 2 gusht 2023 dhe ka marrë pjesë në kopjimin e të dhënave të sistemit TIMS. Mazari rezulton gjithashtu Kryetar i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave pranë AKSHI-t dhe njihet si lidhje e afërt e Ermal Beqirit, biznesmen i shpallur në kërkim nga SPAK për tenderat e AKSHI-t.

Sipas dosjes hetimore, Mazari dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni kanë rrëzuar në mënyrë të paligjshme ankesën e kompanisë “Advanced Business Solution”, duke përdorur argumente pa bazë ligjore, fakt që forcon dyshimet për funksionimin e një skeme të organizuar kriminale.

Shfaqja e këtyre dy emrave në dosjen e AKSHI-t, sipas burimeve hetimore, përforcon dyshimet se vjedhja e databazës së TIMS nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një strukture më të gjerë kriminale, me lidhje të thella në institucione kyçe të shtetit dhe me akses në të dhëna sensitive.

Për këto zhvillime shkruan gazetari Ferdinand Dervishi, duke theksuar se hetimet e deritanishme ngrenë shqetësime serioze për sigurinë e informacionit shtetëror dhe kapjen e institucioneve nga grupe të strukturuara kriminale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit