Bashkia Kukës nderon ariun që hoqi vëmendjen për 1 ditë nga Belinda

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.12.2025, 20:39

Nga Ministria e së Vërtetës

Bashkia Kukës ka organizuar një ceremoni simbolike për të nderuar ariun e famshëm që për 24 orë rresht, arriti të zhvendoste vëmendjen publike nga skandalet dhe vjedhjet galopante të politikës tek fauna e egër.

Ngjarja vjen pas publikimit të një fotografie virale, ku shfaqej një arushë me këlyshët e saj në një fshat të Kukësit, foto që ndezi një debat të ashpër kombëtar mbi pyetjen themelore: “A është reale apo e modifikuar?”. Debati u përshkallëzua aq shumë, sa për 24 orë Shqipëria harroi gjithçka tjetër.

“Ky ari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën mediatike të vendit,” u shprehën burime nga bashkia. “Falë tij, lajmet e vjedhjeve dhe abuzimit me paratë e popullit u harruan krejt.”

Në kuadër të ceremonisë, ariu u pajis simbolikisht me një medalje “Për Shërbime të Veçanta në Zhvendosjen e Axhendës Publike”, ndërsa u vlerësua për aftësinë e rrallë për të konkurruar me politikën shqiptare në klikime, komente dhe teori konspirative.

Në fund të ceremonisë, bashkia siguroi se po shqyrton mundësinë që ariu të shpallet “Qytetar Nderi”, me kusht që të rikthehet sërish sa herë që situata politike të nxehet dhe të ketë nevojë urgjente për një temë shpërqendruese.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit