Ukraina në errësirë për Krishtlindje, Rusia shkatërron rrjetin elektrik

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 24.12.2025, 19:40

Ukraina po përjeton një Krishtlindje të ftohtë dhe në errësirë. Qindra mijëra civilë kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa situata është edhe më dramatike për ushtarët në vijën e frontit, ku luftimet janë intensifikuar veçanërisht në rajonin e Donetskut.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka shpallur armëpushim për festat perëndimore. Kremlini e konsideron Krishtlindjen ortodokse, që festohet më 7 janar, si referencë dhe ka rritur ofensivën ushtarake, me synimin për të thyer rezistencën ukrainase.

Të hënën në mbrëmje, Rusia ndërmori një nga sulmet më të rënda të javëve të fundit. Nga muzg deri në agim u lëshuan 635 dronë dhe 38 raketa mbi disa qytete ukrainase. Si pasojë, humbën jetën tre persona, mes tyre edhe një fëmijë katërvjeçar, ndërsa 12 të tjerë u plagosën.

Objektivi kryesor i sulmit ishte infrastruktura energjetike. Flota e dronëve dhe raketave u përqendrua në shkatërrimin e rrjetit elektrik, me qëllim shkaktimin e një kolapsi të shpërndarjes së energjisë në të gjithë vendin.

Sipas informacioneve të disponueshme, të kufizuara nga censura ushtarake, janë goditur linjat që importojnë energji nga Rumania, të cilat ndihmonin në kompensimin e impianteve të dëmtuara më herët. Si pasojë, tensioni në rrjet ka rënë ndjeshëm, duke detyruar tre centralet bërthamore aktive të Ukrainës të ulin prodhimin.

“Duhet të presim që rrjetet të riparohen,” deklaroi zëvendësministri i Energjisë, Artem Nekrasov.

Edhe gjeneratorët termikë të kompanisë private DTEK kanë pësuar dëmtime të reja. Ky është bombardimi i shtatë ndaj tyre vetëm në dy muajt e fundit.

Rajonet Rivne, Ternopil dhe Khmelnytskyi kanë mbetur në errësirë të plotë, ndërsa ndërprerje të gjata të energjisë janë regjistruar edhe në lagje të Kievit. Ndërprerjet e vazhdueshme kanë bllokuar ngrohjen dhe furnizimin me ujë, si në pallatet sovjetike në periferi, ashtu edhe në komplekset moderne në qendrat urbane.

Situata ka ndikuar edhe në sektorin ushtarak dhe industrial. Uzina metalurgjike Zaporizhstal, një nga më të rëndësishmet në vend, ka pezulluar aktivitetin për shkak të mungesës së energjisë.

Shumë nga mjetet shpërthyese kanë goditur zona pranë kufirit me Rumaninë dhe Poloninë. Autoritetet polake ngritën në ajër avionë luftarakë për të parandaluar shkeljen e hapësirës ajrore. Nga ana tjetër, Ukraina ka përdorur kryesisht avionët F-16 për të interceptuar raketat cruise dhe ato hipersonike.

Ministria ruse e Mbrojtjes e justifikoi sulmin si “hakmarrje ndaj sulmeve terroriste të Ukrainës ndaj objekteve civile në Rusi”, duke deklaruar se objektivat ishin ndërmarrje të kompleksit ushtarak-industrial dhe impiante energjetike që mbështesin operacionet ukrainase.

Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi ashpër: “Ky bombardim para Krishtlindjes tregon qartë prioritetet e Rusisë. Është një sulm ndaj njerëzve që duan të jenë të sigurt në shtëpitë e tyre dhe një goditje në mes të negociatave për paqe. Putin refuzon të ndalë masakrën.”

Në front, Rusia ka dërguar forca të reja. Ditët e fundit janë regjistruar sulme të shumta me kolona mjetesh të blinduara, të cilat janë shkatërruar nga dronët ukrainas përpara se të depërtonin linjat mbrojtëse.

Zemra e betejës mbetet rajoni i Donetskut, i cili konsiderohet objektiv strategjik për Kremlinin. Një zhvillim i rëndësishëm është pushtimi i qytetit Siversk. Pas disa ditësh mohimi, Kievi pranoi tërheqjen e forcave të fundit për të shmangur humbje të panevojshme njerëzore.

Siversk, që para luftës kishte rreth 10 mijë banorë, është shkatërruar pothuajse tërësisht. Ai ndodhet 40 kilometra nga Sloviansk dhe 53 kilometra nga Kramatorsk, dy qytete kyçe ende nën kontrollin ukrainas.

Aktualisht luftimet janë përqendruar në fshatin Sviato-Pokrovske, një zonë strategjike e dominuar nga një altopiano, pengesa e fundit natyrore përpara Donetskut. Forcat ruse po përpiqen të depërtojnë nga veriu, duke shtuar presionin mbi Lyman, dhe nga jugu, duke synuar eliminimin e mbetjeve të garnizonit të Pokrovskut.

Moska shfrytëzon superioritetin numerik të këmbësorisë, duke infiltruar zonat urbane gjatë motit të keq që kufizon përdorimin e dronëve ukrainas. Përparimi mbështetet nga bombardime intensive ajrore, artileri dhe sulme masive me dronë.

Ndërkohë, për të penguar Kievin të zhvendosë trupa nga fronte të tjera, Rusia ka intensifikuar sulmet edhe ndaj Kharkivit, Sumyt dhe Zaporizhzhias, duke e shndërruar konfliktin në një betejë gjithnjë e më të egër dhe shkatërrimtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit