Vora e mbylli pjesën e parë në avantazh 2-0 ndaj Bylisit në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, në sfidën e vlefshme për raundin e 18-të të Superligës. Një pjesë e parë për t’u harruar për ballshiotët, të cilët u ndëshkuan nga gabime individuale dhe humbje përqendrimi.
Të dy golat e Vorës erdhën si pasojë e pakujdesive në repartin mbrojtës të Bylisit, ndërsa vendimtare ishte edhe paraqitja e portierit Jérémy Vachoux. Në minutën e 24-t, francezi priti një goditje nga jashtë zone dhe tentoi të niste menjëherë një aksion të shpejtë, por gabimi i tij bëri që topi të përfundonte në këmbët e Gecit, i cili nuk fali dhe shënoi golin e dytë për Vorën.
Pas këtij momenti, Vachoux u shfaq i paqëndrueshëm dhe nervoz. Kulmi erdhi në minutën e 43-të, kur ai nuk largoi siç duhet një pasim të thjeshtë, fatmirësisht për të topi doli jashtë vijës fundore. Menjëherë pas këtij episodi, portieri francez humbi kontrollin dhe vendosi të largohej vetë nga fusha, pavarësisht se trajneri Mirel Josa nuk kishte kërkuar zëvendësim.
Ky veprim shkaktoi habi të madhe në pankinën e Bylisit dhe te lojtarët, ndërsa arbitri e ndëshkoi Vachoux me karton të verdhë për sjellje jo sportive. Teksa po dilte nga fusha, ai hoqi edhe fanellën dhe u drejtua direkt në dhomat e zhveshjes.
Vendin e tij e mori portieri i dytë, Renato Beqja, i cili pati nevojë për disa minuta për t’u përgatitur dhe për t’u vendosur në portë, gjë e cila i dha skuadrës së Vorës fitoren në shifrat 4-1.