Berati në krye të emigracionit, largimi prek fort disa qarqe

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.12.2025, 15:25

Emigracioni vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha shoqërore në vend, ndërsa të dhënat më të fundit nga Anketa e Posaçme për Emigracionin e INSTAT nxjerrin në pah kontraste të forta mes qarqeve. Në disa zona, largimi jashtë vendit nuk është më një zgjedhje e përkohshme, por një realitet i rrënjosur prej vitesh në jetën familjare dhe ekonomike.

Qarku i Beratit rezulton më i godituri, me rreth 70% të familjeve që kanë pasur përvojë emigrimi, duke kryesuar listën në rang kombëtar. Në këtë zonë vihet re edhe një prani e lartë e emigrantëve të kthyer, çka tregon se për shumë familje emigracioni ka ndjekur një cikël të plotë largimi dhe rikthimi. Nivele të larta shënojnë edhe Lezha dhe Vlora, ku rreth gjysma e familjeve janë prekur nga migracioni, me Lezhën që dallohet për numrin e madh të emigrantëve që ende jetojnë jashtë vendit.

Në Elbasan, Fier, Durrës dhe Korçë, emigracioni përfshin rreth 35–40% të familjeve, duke reflektuar një ekuilibër mes atyre që janë ende jashtë dhe atyre që janë kthyer. Ndryshe paraqitet situata në Gjirokastër dhe Kukës, ku përqindja e familjeve me përvojë emigrimi është më e ulët, ndërsa në Kukës dominon migrimi afatgjatë pa rikthime të shpeshta. Tirana dhe Shkodra kanë një profil të veçantë, kryeqyteti shfaq nivele më të ulëta për shkak të rolit të tij ekonomik dhe migrimit të brendshëm, ndërsa Shkodra ruan një peshë të lartë të emigrantëve jashtë vendit, si pasojë e traditës së gjatë të emigrimit ndërkombëtar. Këto dallime territoriale po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin lokal, tregun e punës dhe nevojën për politika më të fokusuara mbi kthimin dhe integrimin e emigrantëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit