Trajneri i Kombëtares së Polonisë, Jan Urban, ka folur për mediat vendase në prag të përballjes ndaj Shqipërisë, e vlefshme për fazën play-off të Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në fund të vitit 2025.
Urban ka vlerësuar paraqitjet e përfaqësueses shqiptare, por ka theksuar se këtë herë polakët shpresojnë të përfitojnë nga avantazhi i fushës vendase. “Është një skuadër që arriti të na kalojë në grup”, u shpreh ai, duke iu referuar përballjeve të fundit mes dy ekipeve në kualifikueset e Euro 2024. “Këtë herë avantazhi i fushës është në anën tonë”, shtoi trajneri polak.
Sipas Urban, Shqipëria është një ekip që di të luajë futboll dhe që, ashtu si shumica e skuadrave të kualifikuara në këtë fazë, ka shanset e veta në play-off. “Është vetëm një ndeshje dhe gjithçka është e mundur. Pikërisht për këtë arsye jam i përqendruar kryesisht te Shqipëria. Sigurisht, duhet të monitorojmë dhe të kemi informacion të mjaftueshëm edhe për Ukrainën dhe Suedinë, sepse nëse arrijmë finalen e play-off-it, duhet të jemi të përgatitur”, theksoi ai.
Më tej, Urban bëri të ditur se stafi teknik nuk do të fokusohet vetëm te lojtarët polakë, por edhe te kundërshtarët e mundshëm. “Nuk do të mjaftohemi vetëm me vëzhgimin e lojtarëve tanë, por do të ndjekim nga afër edhe futbollistët e Shqipërisë, Suedisë dhe Ukrainës”, deklaroi ai.
I pyetur për shortin e mundshëm të Botërorit, në rast se Polonia fiton play-off-in, Urban u shpreh i rezervuar: “Po mendoj vetëm për Shqipërinë. Do të ketë kohë për të menduar për atë hap nëse bëjmë atë që duhet. Të gjithë e dimë se çfarë na pret: fillimisht duhet të mposhtim Shqipërinë, dhe kjo nuk do të jetë aspak e lehtë”, përfundoi trajneri polak.
Polonia do të presë Shqipërinë më 26 mars 2026 në ndeshjen gjysmëfinale të play-off-it të Kupës së Botës. Pesë ditë më pas, fituesi do të përballet me Suedinë ose Ukrainën në finalen vendimtare, për të siguruar një vend në Botërorin 2026, i cili do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, në kuadër të Grupit F, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.