Me nisjen e Kuvendit të ri në shtator, duket se disa deputetë e kanë nisur mandatin me një ngrohje xhepash”mjaft efikase. Përveç pagës mujore që shkon rreth 3 000–3 500 euro, dhjetë deputetë të rinj kanë përfituar edhe rimbursimin e pasaportave diplomatike, nga 75 euro secili, të paguara jo nga paga e tyre, por nga buxheti i Kuvendit. Lista e përfituesve përfshin Ani Dyrmishin, Arian Ndojën, Eno Bozdon, Erion Milen, Kiduina Zakën, Klevis Balliun, Marjana Koçekun, Skënder Pashajn, Zegjine Çaushin dhe Zija Ismailajn.
Ndërkohë, një grup tjetër deputetësh ka gjetur zgjidhje edhe për strehimin në kryeqytet, gjithmonë me para publike. Antoneta Dhima, Fadil Nasufi, Hatixhe Konomi, Agron Gjekmarkaj, Erion Mile, Niko Peleshi dhe Gerta Bardeli përfitojnë nga 350 euro në muaj për qira, ndërsa Zegjine Çaushi merr 361 euro, Ramion Kurti 338 euro, Genti Lakollari 300 euro, Erjona Ismaili 290 euro, Ledina Alolli 210 euro dhe Bledi Çomo 116 euro. Ironia qëndron në faktin se mes përfituesve gjenden edhe drejtues të lartë të Kuvendit, për të cilët qiraja duket se është po aq “sfiduese” sa për çdo qytetar të zakonshëm.
E gjithë kjo vjen krahas paketës së zakonshme të privilegjeve: 170 euro në muaj për telefon, 300–400 euro për karburant, pagesa për komisione dhe dieta udhëtimi brenda e jashtë vendit. Vetëm gjatë tetorit, deputetët shpenzuan rreth 44 mijë euro për karburant, 19 mijë euro për telefoninë, 139 mijë euro për dieta, 4 mijë euro për qira dhe 750 euro për pasaporta diplomatike. Me pak fjalë, Kuvendi i ri nisi punën me ritëm të lartë… të shpenzimeve, duke dëshmuar se për disa përfaqësues të popullit, mandati është mbi të gjitha një investim i sigurt.
Në të njëjtën kohë, qytetarët dëgjojnë se nuk ka fonde për rritje dinjitoze pensionesh apo ndihmë reale për familjet në nevojë. Një Kuvend që nis punën duke u kujdesur me përpikëri për komoditetin e vet, ndërsa pensionistëve u kërkohet durim dhe mirëkuptim se buxheti, siç duket zgjedh gjithmonë pushtetarët që vetëm ngrohin karriget në Kuvend.

