Pas goditjes së grupit kriminal në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i cili dyshohet se drejtohej nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, aktualisht të shpallur në kërkim, SPAK pritet të marrë dëshminë e Daniel Shimës. Ish-zëvendësdrejtori i AKSHI u zhduk në rrethana misterioze disa javë pas rrëmbimit të biznesmenit Gerond Mece. Pas rreth 10 orësh, Shima u paraqit në Komisariatin nr. 1, duke deklaruar se ishte larguar pas një konflikti me partneren e tij.
Megjithatë, SPAK dyshon se ai është rrëmbyer dhe shantazhuar në lidhje me tenderat e AKSHI-t. Dëshmia e Shimës konsiderohet kyçe dhe mund të ndihmojë në thellimin e hetimeve ndaj grupit kriminal. Ekzistojnë gjithashtu dyshime se në rastin e rrëmbimit të tij mund të jenë përfshirë edhe zyrtarë policie.
Përveç Agasit dhe Beqirit, në masë “arrest shtëpie” ndodhen edhe Mirlinda Karcanaj dhe Hava Delibashi, drejtuese në AKSHI. Hetimet kanë provuar se biznesmeni Gerond Mece është rrëmbyer dhe detyruar të tërhiqet nga ankesat lidhur me tenderat.
Sipas hetimeve, vetëm në periudhën dhjetor 2024 – shtator 2025, kompania EA Solution, në pronësi të Ergys Agasit, ka arkëtuar rreth 29 milionë euro nga kompani që kanë fituar tendera pranë AKSHI-t.