SI SOT/ Krishtlindja, dita kur lindi Biri i Perëndisë! Tradita ndër shekuj, bardhësia e festës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 25.12.2025, 08:00

Sot besimtarët e krishterë në mbarë botën kremtojnë Krishtlindjet, ditën e shenjtë kur lindi Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, që solli dritë, shpresë dhe shpëtim për njerëzimin. Siç thuhet në Bibël: “Sepse sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju Shpëtimtari, i cili është Krishti, Zoti” (Luka 2:11). Lindja e Krishtit në Betlehem, në një grazhd të thjeshtë, përfaqëson përulësinë, paqen dhe fillimin e një epoke të re shpirtërore për njerëzimin.

Sipas shkrimit të shenjtë, Jezu Krishti lindi rreth vitit 4–6 para erës sonë, gjatë sundimit të mbretit Herod i Madh. Ai lindi nga Virgjëra Mari, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, dhe ardhja e Tij u shpall nga engjëjt si lajm i madh gëzimi për mbarë popullin. “Dhe engjëlli u tha atyre: Mos kini frikë, sepse, ja, unë ju sjell një lajm të madh gëzimi, që do të jetë për të gjithë popullin” (Luka 2:10). Barinjtë dhe më vonë dijetarët nga Lindja u drejtuan nga ylli i Betlehemit për ta nderuar Foshnjën Hyjnore, duke sjellë dhurata dhe adhurim.

Krishtlindja u festua për herë të parë më 25 dhjetor të 354. P.I.K, ndërsa këtë gjë e vendosi Papa Julius, ndonëse disa prova thonë se lindja e Jezusit mund të ketë ndodhur në pranverë. Ai zgjodhi këtë ditë, sepse bëhej fjalë për ditën e festimeve romake të ditës së diellit, e cila i bie katër ditë pas solsticit të dimrit.

Krishtlindjet festohen me ceremoni fetare dhe tradita familjare të ndryshme. Besimtarët marrin pjesë në meshën e shenjtë të Krishtlindjes, veçanërisht në meshën e mesnatës më 24 dhjetor, e cila shënon kalimin simbolik drejt ditës së lindjes së Krishtit. Shtëpitë dhe qytetet zbukurohen me drita, bredhë dhe skena të lindjes, ndërsa familjet mblidhen për darka festive, këngë tradicionale dhe shkëmbim dhuratash. Kjo periudhë shoqërohet edhe me veprime bamirësie dhe ndihmë për ata që kanë më shumë nevojë.

Me rastin e Krishtlindjeve, urojmë që kjo festë të sjellë gëzim, shëndet dhe paqe për të gjithë.

Krishtlindje të bardha dhe të bekuara!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit