Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për masat e sigurisë ndaj të akuzuarve për abuzimet me tenderat e AKSHI-t, dalin në pah dy emra që lidhen drejtpërdrejt edhe me vjedhjen e databazës së sistemit TIMS të Policisë së Shtetit, ngjarje e ndodhur më 2 gusht 2023. Personazhi i parë është Ervina Gjana, e emëruar Drejtore e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike pikërisht në ditën kur ndodhi grabitja e të dhënave. Në dosjen e gjykatës përfshihet edhe një bisedë telefonike e Ergys Agasit, ku thuhet shprehimisht: “Shiko tashi, do të vi ERVINA se do të bëhet një aksion për disa falsifikime…”, çka sipas hetuesve ngren dyshime për dekonspirim të aksioneve policore dhe ndarje të sekreteve hetimore.
Ervina Gjana u emërua në krye të Hetimeve Kibernetike gjatë kohës kur ministër i Brendshëm ishte Taulant Balla dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, megjithëse procedura e emërimit, sipas dokumenteve hetimore, ka qenë në shkelje të ligjit, pasi ajo kishte përfunduar studime për “inxhinieri informatike” dhe jo për një profil hetimor. Në kuadër të hetimit të SPAK për tenderat e AKSHI-t, BKH kontrolloi banesën e Gjanës dhe të bashkëshortit të saj, Renato Hristiç, për të cilin ka dyshime se shërbente si lidhje e drejtpërdrejtë e Ergys Agasit. Sipas SPAK, ekziston dyshimi se përmes Gjanës, Agasi ndikonte strukturat e hetimit kibernetik për të goditur subjekte apo grupe rivale, në funksion të interesave të tij apo të lidhjeve të tij.





Personazhi i dytë i lidhur me vjedhjen e TIMS-it që shfaqet në dosjen e AKSHI-t është Klodian Mazari, një nga civilët që më 2 gusht 2023 hynë në ambientet e Policisë së Shtetit për të kopjuar të dhëna sensitive. Mazari rezulton lidhje e biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK, dhe sipas dosjes (faqe 131) ai mbante postin e Kryetarit të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave (KSHA) pranë AKSHI-t. Hetimi tregon se Mazari dhe dy anëtarë të tjerë të komisionit kanë rrëzuar në mënyrë të paligjshme ankesën e kompanisë “Advanced Business Solution” të biznesmenit Gerond Meçe, duke përdorur një arsyetim pa bazë ligjore. SPAK vlerëson se përfshirja e këtyre dy personazheve forcon dyshimet se grabitja e databazës TIMS dhe aferat me tenderat e AKSHI-t janë pjesë e veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal, me shtrirje dhe rrezikshmëri të lartë për sigurinë e informacionit shtetëror.
