Shpërthim i fuqishëm në autostradën A1 Milano–Napoli, cisterna me gaz merr flakë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.12.2025, 10:01

Një përplasje e rëndë në autostradën A1 Milano–Napoli ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, por fatmirësisht pa viktima apo të plagosur, falë një kombinimi rrethanash dhe ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, kur një mjet i rëndë transportues automjetesh u përplas nga pas me një cisternë të mbushur me gaz GPL. Pas aksidentit, cisterna mori flakë dhe pak më vonë shpërtheu.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë Policia Rrugore, personeli i Autostrade per l’Italia dhe ekipet e zjarrfikësve nga komanda provinciale e Casertës, Teano, Aversa, Cassino dhe qendra e Casertës. Zona u evakuua përpara shpërthimit, i cili krijoi kratera të mëdhenj në asfalt dhe u dëgjua në kilometra largësi.

Segmenti i autostradës A1 u mbyll menjëherë për arsye sigurie. Rreth orës 19:00 u rihap qarkullimi në drejtim të Romës mes Capua dhe Caianello, ndërsa drejtimi për në Napoli mbeti i mbyllur më gjatë për shkak të punimeve të sigurisë dhe riparimit.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, policisë rrugore dhe personelit të Autostrade per l’Italia, zona u vu nën kontroll dhe nuk pati pasoja për njerëzit. Megjithatë, u regjistruan radhë deri në 6 kilometra në të dy drejtimet.

Rreth orës 21:00 u rihap edhe drejtimi Capua–Caianello për në Napoli. Trafiku vijoi me devijime dhe ngadalësime, ndërsa drejtuesve të mjeteve iu rekomanduan rrugë alternative.

Për shkak të dëmeve të mëdha në karrexhatë, një task-forcë e Autostrade per l’Italia po punon intensivisht për rikthimin e plotë të qarkullimit dhe funksionimit normal të këtij segmenti që nga mëngjesi i ditës së nesërme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit