Kritikat e Papës Leone XIV ndaj politikave të emigracionit në SHBA kanë shkaktuar reagime të forta nga katolikët konservatorë dhe zyrtarë të administratës Trump, të cilët e akuzojnë Kishën për ndërhyrje në politikë. Zëra si podkasteri konservator Jesse Romero thonë se Papa duhet të përqendrohet vetëm në çështjet shpirtërore dhe jo në politikat shtetërore.
Tensionet u rritën pasi Papa shprehu shqetësim për trajtimin e emigrantëve dhe mbështeti një deklaratë të Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së kundër deportimeve masive pa dallim. Reagimi i Shtëpisë së Bardhë ishte i ashpër, duke hedhur poshtë kritikat e Vatikanit dhe duke kërkuar që Kisha të fokusohet në çështjet e saj të brendshme.
Sipas analistëve, përplasja ka edhe prapavijë politike, pasi administrata llogarit në mbështetjen e fortë të katolikëve konservatorë, veçanërisht atyre të bardhë. Sondazhet tregojnë një ndarje të qartë mes katolikëve të bardhë dhe atyre hispanikë sa i përket qasjes ndaj emigracionit.
Në terren, pasojat janë të prekshme. Në disa shtete, klerikë dhe organizata fetare raportojnë se janë penguar të ofrojnë shërbesa fetare për emigrantët e ndaluar, duke e çuar çështjen edhe në gjykata federale për shkelje të lirisë së besimit.
Kjo përplasje ka nxjerrë në pah ndarjet e thella brenda Kishës Katolike në SHBA, duke e kthyer emigracionin në një debat që kapërcen politikën dhe prek drejtpërdrejt dimensionin moral dhe fetar të shoqërisë amerikane.