Në dhjetor të vitit 2021, JOQ Albania publikoi një investigim që denonconte një nga skandalet më të rënda të zbuluara nga rrjedhja e listë-pagesave të institucioneve shtetërore dhe private. Në fokus të atij lajmi ishte ish-kreu i KESH-it, Benet Beci, i cili rezultonte se kishte paguar me fonde publike dy këshilltarë të huaj, Bassam Abdulibdeh dhe Calvin Tiessen, secilin me rreth 2.3 milionë lekë në muaj. Të dhënat e QKB-së tregonin se këta shtetas ishin ortakë në biznesin “Tirana Training Center” me bashkëshorten e Becit, Fitore Beci, duke ngritur dyshime serioze për konflikt të hapur interesi dhe abuzim me detyrën.
Në denoncimin e asaj kohe theksohej se dy shtetasit e huaj kishin ekspertizë në certifikime të gjuhës angleze (TOEFL), ndërkohë që mbetej e paqartë se çfarë kontributi real mund të kishin dhënë si këshilltarë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Rasti u konsiderua si shembull i përdorimit të fondeve publike për interesa personale dhe familjare, në një institucion kyç të sektorit energjetik, i përfshirë prej vitesh në tendera të diskutueshëm.
Katër vite më vonë, në dhjetor 2025, Benet Beci u paraqit për herë të fundit në SPAK, ku u informua se hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe ai është marrë zyrtarisht i pandehur për shpërdorim detyre lidhur me një tender të KESH-it me vlerë 832 mijë euro. Hetimet nisën nga sekuestrimi i telefonave të ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, ku u zbuluan komunikime komprometuese. Në një prej telefonatave flitej për ndarjen e parave të tenderit, me shprehjen: “500 mijë euro për Harvardin, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë”, një deklaratë që hedh dritë mbi dyshimet për manipulim fondesh publike dhe i jep peshë denoncimeve të bëra që në vitin 2021 nga JOQ Albania.